Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Deputetët në seancën plenare të Kuvendit nga katër kandidatë sa janë përzgjedhur nga komisioni kanë votuar dy prej tyre.
Muharremi dhe Bytyqi janë zgjedhur në KGJK, ndërsa Hashim {ollaku e Hasim Sogojeva, ishin dy kandidatët e tjerë në listë
Pas raundit të dytë të votimeve, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në emër të Komisionit për Legjislacion ka njoftuar se në votim morën pjesë 87 deputetë.
“Në votim kanë marrë pjesë 87 deputetë. Është një votë e pavlefshme. Ndërsa votat kandidatët i kanë marrë si në vijim: Driton Muharremi 45 vota, Hashim {ollaku 33, Hasim Sogojeva 35 dhe Vilard Bytyqi 37”, ka thënë ajo.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në bazë të këtij raporti dy anëtarët e zgjedhur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi.
“Në bazë të raportit të komisionit votues, Kuvendi zgjodhi Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me mandat pesëvjeçar. Muharremi i ka marrë 45 vota dhe Bytyqi 37 vota”, ka njoftuar Shala.
Zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të KGJK-së bëhet me votim të fshehtë dhe mandati i tyre është pesëvjeçar.
Agron Beka është zgjedhur anëtarë i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Beka e Azem Hajdari ishin kandidatë në garën për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike në Kosovë.
Deputetët në seancë në Kuvend kanë votuar me 33 vota për Bekën. Hajdari ka marrë 24 vota, ndërsa 30 kanë qenë vota të pavlefshme. Kanë marrë pjesë në votim 87 deputetë, shkruan KSP.