Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që nga dita kur Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë licencuar një numër i laboratorëve që do të ofrojnë testimin për virusin SARS-CoV-2, ka filluar me monitorimin e këtij tregu përkatës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo shkelje e mundshme e konkurrencës.
Megjithëktë deri më tani Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pranuar ende ndonjë kërkesë nga qytetarët për ndonjë keqpërdorim të mundshëm.
Kështu kanë njoftuar zyrtarë nga Autoriteti i Konkurrencës.
“Jemi duke monitoruar sjelljen e këtyre institucioneve shëndetësore, me theks të veçantë në caktimin e çmimeve të shërbimeve. Në Autoritetin e Konkurrencës nuk kemi pranuar ende ndonjë ankesë nga qytetarët, por i ftojmë të gjithë që t’i drejtohen AKK-së në rast se shohin ndonjë parregullsi eventuale”, thuhet në komunikatë.
Nga Autoriteti theksojnë se laboratorët e licencuar mund t’i drejtohen Autoritetit të Konkurrencës në rast se kanë nevojë për ndonjë sqarim lidhur me këtë çështje.
“Gjithashtu ju njoftojmë se çdo të premte, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do jap deklaratë për medie rreth procesit të Monitorimit të Çmimve”, thuhet në njoftim.