OKB: Bota do të përballet me katastrofë të përgjithshme për shkak të mbylljes së shkollave

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të martën se bota do të përballet me katastrofë të përgjithshme për shkak të mbylljes së shkollave shkaku i pandemisë, duke shtuar se kthimi i nxënësve në banka duhet të jetë prioritet kryesor.

Guterres tha se deri në mesin e korrikut, shkollat kanë qenë të mbyllura në rreth 160 shtete, duke prekur mbi një miliard nxënës, ndërsa rreth 40 milionë fëmijë nuk kanë mundur ta ndjekin klasën përgatitore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, 250 milionë fëmijë nuk kanë qenë në shkolla as para pandemisë dhe vetëm një e katërta e nxënësve të shkollave të mesme në vendet në zhvillim kanë marrë shkathtësi themelore, tha ai përmes një video-konference.

Reklama e sponzorizuar

“Tani ne përballemi me një katastrofë të përgjithshme që do të mund të çojë dëm potencial të pashembullt njerëzor, të minojë dekada të përparimit dhe t’i përkeqësojë pabarazitë e rrënjosura”, tha sekretari i OKB-së përderisa e hapi fushatën “Mbrojeni të ardhmen tonë”.

“Posa të vihet nën kontroll përhapja e Covid-19, kthimi i nxënësve në shkolla dhe në institucione të të nxënit në mënyrë sa më të sigurt që është e mundshme duhet të jetë një prioritet kryesor”, shtoi ai.