Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se ende nuk ka biseduar me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti, inicimin e së cilit kjo parti e bëri ditë më parë, raporton EO.
Kur u pyet nëse VV-ja i ka kërkuar votën për mocionin, ajo shtoi se agjenda e ngjeshur që ka pasur ia ka pamundësuar që të diskutojë me VV-në për këtë çështje.
“Ende nuk e kemi biseduar këtë çështje për shkak të agjendës së ngjeshur”, u shpreh ajo.
Osmani të martën qëndroi në Mitrovicë, ku pati edhe një debat me të rinjt e qytetit për ambientin. Po ashtu, foli edhe për koalicionin qeverisës, për të cilin tha se nuk është i qëndrueshëm.
“Koalicioni qeverisës nuk ka qenë i qëndrueshëm që nga dita e parë, sepse siç e dini disa nga votat janë bërë me presion të drejtpërdrejtë. Njëra nga votat ka qenë me presion antikushtetues, kurse për tjetrën do të presim vendimin final nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse ajo do të mund të numërohet”, tha ajo.
Osmani iu referua deputetit Haxhi Shala, i cili pranoi se një natë para votimit të Qeverisë Hoti, në shtëpi kishte pritur presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Shala tha se votën për Qeverinë Hoti e dha “për hatër të tyre”. Po ashtu, votë e diskutueshme është edhe ajo e deputetit Etem Arifi, i cili ka vendim të plotëfuqishëm për mbajtje të burgimit.