Përplasjet brenda koalicionit dhe mocioni i VV-së s’e rrezikojnë Qeverinë Hoti, thonë analistët

Mospajtimet mes partnerëve qeverisës nuk po i shohin si arsye që mund të çojnë në prishje të koalicionit as partitë e as njohësit e çështjeve politike në vend. Madje, edhe iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për mocion të mosbesimit, nuk e shohin të rrezikshme për Qeverinë Hoti.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e cila vjen nga radhët e Nismas, thotë për KP se kanë besim te partneri qeverisës dhe se nëse do të ishte ndryshe do ta tërhiqnin votëbesimin.

“Ne deri më tani kemi një bashkëpunim të mirë, deri në këtë moment nuk kemi një mospajtim të madh. Në momentin që ne nuk i besojmë partnerit tonë qeverisës, ashtu siç ia kemi dhënë me votë besimin, ashtu do të mund t’ia marrim, me votë dhe jo deklarime”, thotë ajo.

Reklama e sponzorizuar

E analisti, Fitim Salihu, thotë se përplasjet e tejzgjatura që nuk dërgojnë në hapa konkretë për prishje të qeverisë, janë lojë, raporton KP. 

“Fillimisht ka mundur të jetë e rrezikshme, por kur fillon e kalon një kohë e gjatë, bëhet më shumë se një muaj i përplasjeve dhe nuk ka hapa në drejtim të prishjes së qeverisë nga asnjëra nga paritë partnere të koalicionit kjo duket më shumë si një lojë. Një tendencë për të ribalancuar koalicionin qeveritar, secila për të marrë secili që ka aktualisht duke pretenduar që ka marrë më pak se sa meriton sesa një orvatje serioze”, thotë ai.

Kurse, analisti tjetër politik, Krenar Shala thotë se dallimet ndërmjet partnerëve tregojnë mos kohezionin e brendshëm qeverisës.

“Kjo tregon kohezionin e brendshëm të qeverisë. Kjo tregon se kjo qeveri është e zorit dhe si rezultat i frikës nga qeverisja e mirë. Mendoj që qeverisja e mirë i ka frikësuar këto partitë e vjetra”, u shpreh Shala.

Lëvizja Vetëvendosje në fillim të muajit gusht paraqiti iniciativën për fillimin e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti. E si arsye për këtë ishte edhe përplasjet ndërmjet vet partnerëve qeverisës, LDK-së dhe AAK-së.