Janë përzgjedhur kandidatët për Avokat të Popullit, që pritet t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për votim.
Në raportin e panelit përzgjedhës që ka siguruar KTV-ja, i rekomandohet Komisionit për të Drejtat e Njeriut të propozojë Edona Hajrullahun, Naim Qelajn, Xhavit Shalën dhe Enver Hasanin si kandidatë të mundshëm për postin e Avokatit të Popullit, raporton KOHA.
Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, komisioni dhe paneli duhet të përzgjedhin 3 kandidatë në listën e ngushtë, me përjashtim kur dy prej tyre janë me pikë të barabarta, atëherë ky numër mund të arrijë edhe në 4.
Në këtë rast, Edona Hajrullahu dhe Naim Qelaj kanë nga 43 pikë.
Në raport është e sqaruar edhe mënyra e vlerësimit të kandidatëve, ku thuhet se ata janë vlerësuar nga paneli përzgjedhës prej 5 deri në 10 pikë.
Mirëpo, nga procesi i vlerësimit është përjashtuar shoqëria civile, që akuzon panelin se ka vendosur që vlerësimi të mbahet i fshehtë.
Nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike dyshojnë se vlerësimi është ndikuar politikisht. Ata madje kanë kërkuar edhe anulimin e këtij vlerësimi.
E lidhja e kandidatëve me partitë politike është e afërt. Naim Qelaj deri në shkurt të këtij viti kishte mbajtur pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj.
Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, “Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij/saj nuk mund të jenë anëtarë të asnjë partie politike e as të ushtrojnë veprimtari politike, shtetërore a private e profesionale”.
Në garë është edhe Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Edona Hajrullahu, zëvendësavokate e Popullit mandatin e kaluar dhe Xhavit Shala.
Këta emra pritet të shkojnë në Kuvend për votim.