Kuvendi i Kosovës nuk do të shkojë në pushim, por do t’i vazhdojë ende punimet e sesionit pranveror. Organi legjislativ do të vazhdojë të premten me seancën e radhës.
Këtë për KOHËN e ka bërë të ditur nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se në atë seancë mund të diskutohet rreth projektligjit për pandeminë.
E Kuvendi mund të ketë punë edhe nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e cila ishte paralajmëruar edhe nga Qeveria, nëse do të vazhdonte shtimi enorm i rasteve me Covid-19. Nëse kjo situatë mund të ndodhë kur është Kuvendi në pushim, do të duheshin votat e deputetëve për kalimin e saj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, nuk është përgjigjur për këtë situatë potenciale, teksa ka thënë se për çështjen e pushimeve vendos Kryesia e Kuvendit.
Kurse Pal Lekaj nga Grupi parlamentar i AAK-së ka thënë se çështja e pushimeve është e lidhur me zhvillimet për pandeminë.
“Ju e dini që muaji gusht është edhe fundi i sesionit pranveror të punimeve të Kuvendit të Kosovës për t’u rikthyer pas një muaji, por a do të ndodhë në këtë vit ashtu, kjo varet krejtësisht se si do të vendosë Kryesia e Kuvendit dhe po ashtu nga zhvillimet me situatën e pandemisë dhe nevojës që Kuvendi të jetë në detyrë për mundësinë e nxjerrjes së rregullativave urgjente për t’u përballur me ketë gjendje aspak të lehtë që e ka kapluar mbarë botën e edhe vendin tonë”, ka thënë Lekaj.
Për analistin Rasim Alija, shkaku i mundësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme deputetët duhet ta shqyrtojnë jo vetëm shtyrjen, por edhe mbajtjen e pushimit.
“Deputetët ish dashtë të qëndrojnë të gatshëm kurdo që i thërret Kryesia. Është edhe mundësia për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme nëse situata me pandeminë përkeqësohet. Po ashtu mund të ngritet edhe mocioni i mosbesimit për Qeverinë Hoti”, ka thënë Alija.
E njëri prej projektligjeve që po shihet më me ngut për miratim, është ai për rimëkëmbjen ekonomike i propozuar nga Qeveria Hoti.
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke folur për projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, ka thënë se nuk kanë vendosur ende se si do t’i votojnë. Ai ka thënë se duhet të analizohen ndikimet e ligjeve që ndryshohen.
“Deputetët e kanë pranuar të enjten, kur kemi qenë në seancën për rishikim të buxhetit. Shto këtu edhe faktin se e premtja ka qenë festë zyrtare, efektivisht i bie që deputetët e kanë pasë në dispozicion këtë projektligj që nga e hëna e tutje, pra vetëm një ditë pune. Andaj ende nuk mund të jap ndonjë qëndrim në lidhje me projektligjin, sepse është projektligj që prek ose ndryshon disa ligje njëherësh dhe duhet të analizohen të gjitha ndikimet që mund të ketë”, është shprehur Murati.
Kurse Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se si grup parlamentar janë të gatshëm të japin kontributin për çfarëdo çështjeje që shkon në favor të rimëkëmbjes ekonomike, por që duhet të kihet kujdes me ndryshimin e ligjeve.
“Ne si deputet e si Grup Parlamentar jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë për të gjitha çështjet që shkojnë në favor të rimëkëmbjes ekonomike e mbrojtjes sa më të madhe të jetës së qytetarëve të vendit. Më ligjin për rimëkëmbjen ekonomike do të pësojnë ndryshime shume ligje, gati 10 ligje të tjera që kanë të bëjnë me anën financiare, tregtare, të agjencive të ndryshme e për të ardhurat e qytetarëve të Kosovës, prandaj duhet të kemi kujdes se mos bëjmë anarki ligjore. Por jemi të bindur se më një angazhim të sinqertë e parezerva të politikës ditore, mund t’ia dalim kësaj situate të rëndë”, ka shtuar Lekaj.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me parti të tjera politike për këto çështje, por pa sukses. E nga Kuvendi i Kosovës kanë bërë të ditur për KOHËN se projektligji për rimëkëmbjen ekonomike mund të procedohet pas përfundimit të shqyrtimit nga Komisioni funksional për Buxhet dhe Transfere.
Ndryshe, legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës ka hyrë në muajin e tetë të punës, por deri më tash ka përmbushur vetëm 5 për qind të agjendës së saj legjislative.