Me miratimin e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, mosbartja e maskës ose mosmbajtja e distancës nga qytetarët dënohet me 35 euro.
Mirëpo, para miratimit të këtij ligji, qytetarët për veprime të njëjta janë dënuar me gjoba të ndryshme edhe më të larta sesa parashihen tash me ligjin Anti-Covid.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë për televizionin se në mungesë të Ligjit për parandalimin e pandemisë, në mënyrë që të zbatohen vendimet e institucioneve, Policia ka iniciuar raste penale nga neni 249 dhe 250 i Kodit Penal të Kosovës.
Kurse për rastet e tjera jopenale Policia thotë se ka shqiptuar gjoba në bashkërendim me inspektorët sanitarë.
Ndërsa nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë̈ kanë bërë të ditur se gjobat për personat fizikë të cilët nuk e kanë mbajtur maskën apo distancën kanë shkuar nga 50 deri në 100 euro.
Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku, ka bërë të ditur se vetëm në muajin korrik, prej kur Qeveria e Kosovës e bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës, Inspektorati në bashkëpunim me Policinë u ka shqiptuar gjoba rreth 1500 personave fizikë.
Mirëpo, veprimet e tilla nga ana e Policisë dhe Inspektoratit po konsiderohen të kundërligjshme nga njohësit e çështjeve juridike. Yll Zekaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se para miratimit të ligjit për pandeminë organet kompetente nuk kanë pasur bazë ligjore për shqiptimin e këtyre gjobave.
Ndërsa për gjobat që janë shqiptuar, Anton Nrecaj, këshilltar ligjor në Qendrën për Ndihmë Ligjore dhe Zhvillim Rajonal, ka theksuar qytetarët kanë të drejtë që të ankohen në institucionet e drejtësisë.
Projektligji për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës është miratuar të premten e 14 gushtit dhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Policia ka autorizim të plotë ligjor për të vepruar ndaj atyre që nuk e respektojnë atë.