Qytetarët të pakënaqur me testime në laboratorët privatë

Afër tregut në lagjen Ulpiana në Prishtinë, çdo ditë po krijohen radhë të gjata të qytetarëve, të cilët presin për të bërë testet për koronavirus.

Në këtë lagje gjendet laboratori “Medical & Laboratory Services”, që është i vetmi laborator privat në kryeqytet ku bëhen teste virologjike me metodën PCR. Një tjetër është në Lipjan.

Megjithatë, qytetarët që po presin me orë të tëra fillimisht për të bërë testin, e pastaj disa ditë për marrjen e rezultateve, ankohen për papërgjegjësinë e këtij laboratori.

Reklama e sponzorizuar

“Dje kam thirrur, s’ma ka hapur askish(telefonin), pastaj kam ardhur këtu. Po dëshirojmë t’i bëjmë privat që t’i marrim rezultatet më shpejt, që ta mbrojë familjen, fëmijët, pleqtë”, tregon njëri nga qytetarët, me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, e që ishte duke pritur në radhë për t’u testuar.

Histori të ngjashme të pritjes ka edhe gazetari Fisnik Dërguti. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se vetëm në ditën e katërt pasi kishte bërë testin, ka arritur ta marrë rezultatin.

Për t’i parë rezultatet e testit në të cilin kishte rezultuar negativ, ai u detyrua të shkonte te laboratori, pasi që të njëjtit nuk i kthyen përgjigje për disa ditë.

“E bëra testin, thashë për sa bëhet? Më thanë për 48 orë. U thashë në rregull, ja numrin tim dhe emailin. A mund të ma dërgoni në email? Prita 48 orë, fillova të thërras në telefon, njëri e hapi telefonin dhe më tha: unë jam në qendër të thirrjeve, nuk jam në laborator. Thirra përsëri, u bënë 30-40 herë që telefonova, u bënë tri ditë dhe nuk përgjigjej askush”, thotë Dërguti.

Për të bërë këtë test, ai ka paguar 65 euro.

Një përvojë të tillë, me mospërgjigje ndaj thirrjeve telefonike për dy ditë me radhë, e ka pasur edhe ekipi i Radios Evropa e Lirë. Njëri nga laborantët e këtij laboratori i tha Radios Evropa e Lirë gjatë një vizite në laborator, se ‘nuk ka asnjë termin të lirë për të bërë teste deri me datën 25 gusht’.

Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja se përse nuk u përgjigjen telefonatave të qytetarëve. Ai nuk ka treguar se sa teste brenda ditës janë duke i kryer.