Rukiqi thotë se deri në 50 mijë qytetarë mund të humbin vendin e punës shkaku i pandemisë

Si pasojë e pandemisë COVID-19, deri në 50 mijë qytetarë të Kosovës mund të humbin vendin e punës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Në mënyrë që vendet e punës të mos shuhen, intervenimi i Qeverisë së Kosovës për të përkrahur bizneset është i domosdoshëm, thotë Rukiqi.

Ekonomia e Kosovës, sipas OEK-ut, gjatë muajve të mbylljes (13 mars – 1 qershor) ka shënuar humbje deri në 10 milionë euro në ditë, ndërkohë që humbjet po vazhdojnë pasi që në fuqi vazhdojnë të jenë ende masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

Në çfarë gjendje është ekonomia e Kosovës sot?

Berat Rukiqi: Sot Kosova ballafaqohet me krizën më të rëndë që nga paslufta, është një krizë ekonomike që nuk është si pasojë e ndonjë lëvizje të zakonshme, qoftë në indikatorët makroekonomikë, qoftë nga zhvillimet në tregjet globale, por ka ardhur si pasojë e një krize shëndetësore, që në këtë rast lidhet më përhapjen e pandemisë COVID-19.

Nëse i analizojmë shkaktarët e krizës, janë të pazakonshëm. Është diçka që vendet nuk janë mësuar të ballafaqohen me këtë, qoftë edhe vendet e zhvilluara, e në anën tjetër për vendet e vogla dhe që janë në zhvillim, siç është Kosova, këto lloj krizash që ndikojnë në tërë zinxhirin ekonomik, më vështirë përballohen duke e ditur edhe kufizimet, qoftë në resurse, qoftë në financa, qoftë në instrumentet e politikave.

Për neve është një krizë që krijon shumë probleme, pasi që është vështirë në një vend si ne, që po kalojmë edhe në kriza të ndryshme politike ku po ballafaqohemi me një jostabilitetit politik, të menaxhohen suksesshëm edhe kriza shëndetësore edhe krizën ekonomike në të njëjtën kohë.

Eshtë më rëndësi të trajtohen këto kriza si duhet tani, për shkak se mund të lenë pasoja të parikuperueshme, jo vetëm për kompanitë e caktuara, por për sektorë të tërë të ekonomisë.

Cilat janë ato pasoja të parikuperueshme?

Berat Rukiqi: Ne shumë lehtë mund të humbim shumë kompani, të cilat mund të detyrohen të shkojnë në procedura të falimentimit e ndoshta edhe bankrotimit të plotë dhe në të njëjtën kohë mund të humbim shumë vende të punës, të cilat me shumë vështirësi janë krijuar në Kosovë, edhe në kohën kur ekonomia ka pasur trend të rritjes.

Këto mund të jenë dy pasojat kryesore dhe kjo në sektorët që janë më së shumti të goditur që nga dita e parë e vendosjes së masave kufizuese, por edhe kur është hapur ekonomia që janë ballafaquar me rënie të dukshme të qarkullimit.

Cilët sektorët ekonomikë në Kosovë janë prekur më së shumti nga pandemia e koronavirusit?

Berat Rukiqi: Nga ajo që po shohim deri sot kemi, ndikim negativ te pjesa e turizmit dhe gastronomisë, te transporti, por në periudhë afatmesme mund të lindin shumë probleme te sektori i tregtisë me pakicë, por edhe te sektori i ndërtimit për shkak të rënia e fuqisë blerëse, ndikon drejtpërsëdrejti në këta sektorë.

Është bërë ndonjë përllogaritje nga Oda Ekonomike e Kosovës se sa mund të jenë humbjet që i janë shkaktuar ekonomisë së Kosovës?

Berat Rukiqi: Ne mund të kemi një përllogaritje të saktë që është diku deri në 10 milionë euro në ditë humbje në periudhën kur ka qenë e mbyllur pothuajse e gjithë ekonomia, pra po flasim për periudhën 13 mars deri më 1 qershor, por nuk kemi të dhëna të sakta për periudhën pas 1 qershorit e deri më sot, kur formalisht kemi hapje të ekonomisë, por kemi rënie të dukshëm të qarkullimit.

Ndoshta në fund të muajit shtator do të kemi një pasqyrë më të saktë, aty do të shohim edhe raportimet financiare të bizneseve dhe vlerësimeve të bizneseve.

Por, mund të themi, që kemi rënie të qarkullimit, kemi një mungesë të konfidencës të konsumatorit që jeton në Kosovë që nuk shpenzon, qoftë nga ajo nuk del të shpenzojë duke e pasur frikën edhe të infektimit, ose ka një lloj pasigurie për të ardhmen, prandaj heziton të shpenzoj. Por, kemi edhe një mungesë të qarkullimit që vjen drejtpërsëdrejti nga mungesa e vizitave të diasporës, pra rënia e fuqisë blerëse ka ndikuar në çdo sektorë.

Ndoshta nuk kemi një vlerësim të saktë të humbjeve, por nëse i shohim këto parashikimet që janë diskutuar edhe në institucionet financiare ndërkombëtare dhe lëvizjet në tregje, Kosova mund të ballafaqohet me një tkurrje ekonomike deri në 7 për qind. Qeveria e Kosovës ka shkuar në një version më pozitiv 3 për qind, por nëse flasim në vlera të caktuara, humbjet mund të sillen jo më pak se 500 milionë euro në Bruto Produktin Vendor dhe mund të jenë edhe më të larta nëse nuk merren masa adekuate për rimëkëmbjen ekonomike.

Shumë biznese janë deklaruar se kanë pezulluar punëtorët nga puna për shkak të kufizimeve që i janë bërë biznesit? Sa mund të jetë ky numër?

Berat Rukiqi: Nëse marrim parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, sigurisht mund të flasim për një numër deri në 25 mijë vende pune që mund të humbin si pasojë e pandemisë. Kjo është në variantin më pozitiv e mund të shkojë deri në 50 mijë e më shumë varësisht nga kohëzgjatje e pandemisë, por në të njëjtën kohë edhe nga menaxhimi i pandemisë në përgjithësi, nga kufizimet që mund t’i krijojë pandemia dhe masat që do t’i ndërmarrë qeveria.

Në mënyrë që të jetë sa më i vogël numri i humbjes së vendeve të punës, tash ka rol intervenim i shtetit në përkrahje të biznesit, sidomos te pjesa e qasjes në financa, te pjesa e përkrahjes së prodhimit, te pjesa e rritjes së fuqisë blerëse.

A ka pasur mbështetjen e duhur biznesi nga shteti i Kosovës gjatë kësaj kohe të pandemisë?

Berat Rukiqi: Si pasojë edhe e një krize politike që po na përcjell edhe gjatë kohës së pandemisë, kemi vonesa të ofrimit të përkrahjes së shtetit për biznese. Kryesisht është menduar të ketë një fokus në pjesën e emergjencës për atë kategorinë e rrezikuar që kanë qenë punëtorët e sektorit privat dhe kompanitë e caktuara, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në të gjitha këto mundësi që ka qenë të përkrahet biznesi në pjesën e emergjencës, ne kemi dështuar dhe kjo ka humbur kuptim. Ndihma emergjente nëse nuk jepet në një periudhë emergjente nuk e arrin efektin e vet. Tash të gjitha pritjet janë në fazën e rimëkëmbjes ekonomike dhe janë momentet e fundit që duhet të ndërhyhet në mënyrë që të shpëtohet sektori privat.

Sa gjatë mund të marrë kohë rimëkëmbja ekonomike?

Berat Rukiqi: Me këtë trend të përhapjes së virusit dhe gjitha kufizimet, ne nuk mund të presim një rikuperim të ekonomisë para fundit të vitit 2021./REL/