Liderët kosovarë përpos pasurive të luajtshme e të paluajtshme, në kontot e tyre bankare kanë deklaruar gjithashtu edhe shuma të larta të parave të gatshme. Buletini Ekonomik ka hulumtuar deklarimet e pasurive të liderëve kryesor, atyre në udhëheqje të shtetit dhe udhëheqësve të partive kryesore në vend, pozitë e opozitë.
Mirjeta Shabani
I pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar se familjarisht posedon gjithsej 11 mijë euro të gatshme nëpër bankat e Kosovës. Personalisht, ai ka para të gatshme vetëm 1 mijë e 194 euro, derisa gruaja e tij ka 2 mijë e 141 euro. Djali i i presidentit, po ashtu ka gjithsej 7 mijë e 744 euro të kursyera.
Kreu i Ekzekutivit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti, po ashtu ka deklaruar para të gatshme në vlerë të 6 mijë e 503 eurove. Vetëm të kryeministrit janë 3 mijë e 83 euro, bashkëshortes së tij i takojnë 1 mijë e 311 euro, kurse të dy fëmijëve të tij janë shumat prej 695 dhe 677 eurove.
Ndërkohë, udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare në vend, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, posedon vetëm 934 euro si para të gatshme personale, përderisa bashkëshortja e tij ka të mbledhura gjithsej 9 mijë e 650 euro.
Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar si para familjare të gatshme gjithsej shumën prej 15 mijë e 633 eurove, të ndara në shumat përkatëse si në vijim: të vet Veselit janë gjithsej 7 mijë e 282 eurove, kurse të bashkëshortes së tij janë 8 mijë e 360 euro.
E më i pasuri në vend po del të jetë kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli. Ai ka deklaruar shuma marramendëse të parave të gatshme që mban nëpër bankat e Kosovës. Si para kesh, ai ka gjithsej 4 milionë e 944 mijë e 139 euro, të ndara në katër banka të Kosovës.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se posedon para të gatshme shumën prej 11 mijë e 300 eurove, përderisa bashkëshortja e tij ka të kursyera vetëm 520 euro.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për vitin 2020 nuk ka deklaruar pasurinë e tij pasi nuk ka marrë ndonjë post zyrtar shtetëror. Ndërkaq, në vitin 2019, në kohën sa mbante postin e kryeministrit të vendit, ai kishte deklaruar si para të gatshme në llogarinë e tij bankare vlerën prej 71 mijë e 720 eurove.
Ndërsa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk ka deklaruar pasurinë e tij që prej vitit 2016, në kohën kur edhe kishte qenë kryeministër i vendit. Por, ai në deklarimin e pasurisë sa ishte kryeministër, pati deklaruar të holla të gatshme në vlerën e 52 mijë e 626 eurove. /Buletini Ekonomik/