Shoqëria civile kërkon të përsëritet procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit

Rrjeti i Grave të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Instituti Kipred, përmes një komunikate për media, kanë kërkuar ripërsëritjen e procesit përzgjedhës për Avokat të Popullit në përputhje me Memorandumin e nënshkruar ndërmjet Kuvendit dhe Ambasadës Britanike.

Këto organizata kanë listuar edhe problemet me të cilat është shoqëruar ky proces, si:

a) Procesi përzgjedhës për Avokat të Popullit është i përcaktuar me ligj, dhe i nënshtrohet parimeve të transparencës dhe meritës së kandidatëve që konkurrojnë. Paneli Vlerësues ka bërë lëshime serioze në metodologjinë e zbatuar për të vlerësuar meritën e kandidatëve. Adresimi i një interviste formale, me disa pyetje shumë të përgjithshme, që nuk marrin parasysh të kaluarën profesionale të kandidatëve, dhe me një insistim partiak të vlerësimit, ka qenë kryefjala e intervistës me kandidatë të organizuar nga Paneli Vlerësues. Ky i fundit as nuk ka marr mundin t’i shpjegoj organizatave të shoqërisë civile se mbi çfarë kriteresh ka zbatuar një proces përzgjedhës, dhe si është e mundur që një intervistim formal me pyetje që janë tërësisht në diskrecion të gjykimit politik të deputetëve anëtarë të Panelit të jetë përcaktues i listës finale të të përzgjedhurve.

Reklama e sponzorizuar

b) Paneli Vlerësues ka treguar mungesë serioze të transparencës. Ai i përjashtoi monitoruesit e shoqërisë civile nga pjesa e mbledhjes ku duhej të bëhej pikësimi i kandidatëve, dhe rrjedhimisht transparenca e vlerësimit sipas kritereve për secilin kandidat u mohua tërësisht. Një përjashtim i tillë është i paprecedent në praktiken kuvendore. Për më tepër, Paneli Vlerësues vazhdon ta mbaj të fshehtë listën e kandidatëve dhe pikët të shoqëruara me arsyetim për secilin kandidat. Paneli refuzoi t’i shpjegoj komunitetit monitorues se pse janë vlerësuar kandidatët në mënyrën e tillë, dhe çfarë bëri që shumë kandidatë ekselentë të mos hynin as në listën e tre më të mirëve.

c) Paneli Vlerësues shkeli Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës Britanike, i cili parasheh që vlerësimi i kandidaturave për avokat të popullit të bëhet bazuar në pikësimin që bëjnë ekspertët britanikë të angazhuar nga Ambasada. Një tejkalim i tillë i Memorandumit është fakt i mjaftueshëm juridik që e bën të arsyeshëm ripërsëritjen e procesit.

“Prandaj, ne organizatat kërkojmë nga Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut të ripërsërisë procesin e vlerësimit për kandidatët për Avokat të Popullit, dhe një proces të tillë ta zhvillojë në përputhje me Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike. Kërkojmë gjithashtu transparencë të plotë, llogaridhënie për vlerësimin e bërë dhe zbatim të plotë të parimit të meritës në procesin përzgjedhës”, thuhet në komunikatë.

Sot, në ora 13:00, do të mblidhet edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Këtu do të diskutohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit.