Prej tre vjetësh e ka fituar statusin e parkut arkeologjik, por “Ulpiana” është ende në hall me çështjen e pronave që i shfrytëzon. Për hapësirën me dy hektarë e gjysmë nuk është paguar qiraja, pavarësisht se me pronarët e parcelave janë bërë kontrata për shfrytëzim.
Në hall është edhe Instituti i Arkeologjisë përballë pronarëve që kërkojnë t’u paguhet qiraja vjetore.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë të enjten se Ministria e Kulturës ende nuk i ka bërë pagesat vjetore. Instituti, sipas tij, qysh me 10 qershor ka nisur një kërkesë në adresë të Ministrisë për pagesën e qirave në vlerë prej 4 mijë e 100 euro.
“Ne jemi nën presion të përditshëm nga ana e pronarëve që kërkojnë sqarime se përse nuk janë bërë pagesat”, ka thënë Rexha për KOHËN.
“Ata, si pronarë, kërkojnë sqarime nga ne meqenëse pronat e tyre shfrytëzohen si park arkeologjik përmes kontratave që kanë me Institutin”.
Rexha ka treguar se kanë bërë tash e disa vjet kërkesa për shpronësim të parcelave për shkak të potencialit të tyre arkeologjik.
“Askush në Qeveri nuk është marrë me këtë punë”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit Arkeologjik ka vlerësuar se shpronësimi do të ndihmonte shumë për hulumtimet e mëtejshme në “Ulpianë”, por edhe për kujdesin ndaj parkut arkeologjik.