Nivel rekord të te hyrave kanë realizuar kompanitë e sigurimit në periudhën Janar-Qershor 2020. Së bashku ato realizuan një fitim të pastër prej 4.9 milionë euro, ndryshe nga dy vitet e kaluara që i mbyllën me humbje.
Të hyrat neto të sektorit për këta 6 muaj janë 40.2 milionë euro, prej të cilave për dëmet e ndodhura shkuan 16.5 milionë euro, kurse për shpenzimet operative 18.8 milionë euro.
Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kjo rritje e përnjëhershme e të hyrave lidhet direkt me vendimin për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 për qind, në dhjetor të vitit të kaluar, përcjellë Buletini Ekonomik.
“Sektori i sigurimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 u karakterizua me zgjerim të aktivitetit, edhe pse në nivel më të ulët. Niveli i primeve të shkruara ishte më i lartë krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak, ndikuar nga rritja e çmimeve të primeve të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në fund të vitit të kaluar”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”.
Me 1 nëntor 2019, Bordi ekzkeutiv i BQK-së mori vendim për shtrenjtimin e sigurimit të veturave në nivelin 26 për qind. Në kumtesën BQK-së thuhej se deri te ky vendim erdhi për shkak të inflacionit dhe faktit se nuk ishin rishikuar tarifat fare në këtë kategori.
Por shumë nga argumentet e BQK-së bien në kontradiktë me një raport të fundit të FMN-së, në të cilin përmenden fakte të padëgjuara më parë rreth gjendjes në sektor.
Një mision i FMN-së i cili ka qenë në Kosovë gjatë vitit 2019, ka gjetur se një pjesë e madhe kompanive të sigurimit nuk i kishin zbatuar rregulloret e BQK-së për shpenzimet operative. Kjo kishte bërë që ato të raportojnë humbje enorme në BQK.
Me rregullore të BQK-së, shpenzimet e kompanive kufizohen në nivelin 35 për qind të primeve, por në vitin 2018 shpenzimet në disa kompani e tajkaluan këtë prag, duke shkuar në rreth 50 për qind të primeve.
“Normat e larta të shpenzimeve mbizotërojnë me gjithë faktin se BQK-ja si duket ka nxjerrë një rregullore që kufizon shpenzimet në 35 përqind të primeve, normë kjo e cila respektohet vetëm nga kompanitë udhëheqëse në treg”, thuhet në raportin e sapo publikuar të FMN-së “Rishikimi i stabilitetit të sektorit financiar”. /Buletini Ekonomik/