Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, një javë pasi mori miratimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se po ashtu ka dekretuar edhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVID-19 dhe atë për Marrëveshjen e Huasë ndërmjet Kosovës dhe BE-së për ndihmën makro-financiare.
Sipas tij, këto tri ligje do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës dhe në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Ligji për luftimin e pandemisë parasheh, ndër tjerash, edhe dënime prej 35 deri 500 euro për ata që nuk respektojnë masat.