Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka treguar kapacitetet e Kosovës për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Ai në emisionin Pressing në T7 tregoi se me rritjen e numrit të pacientëve, rriten edhe kapacitet.
“Kemi shtretër mjaftueshëm, por mos të harrojmë se kemi dhe klinika të tjera të cilat janë për qëllime tjera, pra për pacientë të sëmurë me sëmundje tjera”, tregoi ai.
“Kemi 750 shtretër të gatshëm, dhe kemi planin që të shtojmë edhe 100 tjerë në nivel vendi”
“E dini në fillim kishim vetëm Klinikën Infektive, të dizejnuar për pritjen e pacientëve me Covid për shkak të numrit të vogël. Tani kemi një numër më të madh që erdhën pas lehtësimit të masave dhe ekspozimit të qytetarëve ndaj virusit. Masat nuk u respektuan dhe kishim numër të madh të të infektuarve”, tregoi ai.
Krasniqi: Është e vështirë të parashikohet e ardhmja
Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se nuk e di se cfarë do të ndodhë deri në vjeshtë sepse aktualisht është e vështirë të parashikohet e ardhmja.
Kjo për shkak se edhe vet Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), disa herë i ka ndërruar qëndrimet e veta rreth virusit.
“Është shumë e vështirë të parashikohet e ardhmja, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë deri në vjeshtë. Vet OBSH’ja, i kanë ndërruar 4-5 herë qëndrimet. Ende nuk e kemi një përgjigje sa qëndron virusi në ambientin e jashtëm”, është shprehur Krasniqi në Pressing.
Ai gjithashtu ka thënë se qytetarët duhet të u përmbahen masave të rekomanduara, në mënyrë që të kemi përhapje të kontrolluar të virusit.
“Mos u futni në ambiente të mbyllura pa maskë. Mbani distancën kur jeni në ambient të hapur. Këto janë rregullat kryesore”, ka thënë ai.,
Ai ka treguar se opsioni i mbylljes totale nuk do të kishte efekt, ndërsa do të ishte edhe lajm i keq për ekonominë.
Krasniqi po ashtu tha se po diskutohet ideja e ndërtimit të së paku dy spitaleve tjera për pacientët me Covid-19.