Zeka: Politika po ndikon që në Kosovë të mos ketë konsensus ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se në Kosovë po mungon konsensusi ekonomik dhe dëshmi për këtë ai thotë se është mosvotimi i sotëm i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Ajo që është për keqardhje është se nuk po pranohet ideja e një konsensusi ekonomik dhe shembulli i mosvotimit i Ligjit për Rimëkëmbje është dëshmia e kësaj. Sërish deputetët mund të vazhdojnë të përplasen me mospajtimet me shtete fqinje por sa i përket aspekteve ekonomike duhet konsensus më i madh dhe kjo krijon qasje edhe përgjatë viteve tjera. Kemi pasë ndërrim të qeverive gjatë viteve dhe ndërrim edhe të prioriteteve”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Zeka ka thënë se nuk po shihet se është krijuar terren për investime nga diaspora. Ai shton se ideja që kanë pasur odat ekonomike për të ndryshuar modelin e zhvillimit ekonomik të vendit, si zhvendosja e remitencave dhe tërheqja e investimeve nuk është paraparë.

Reklama e sponzorizuar

“Meqë kemi dështuar ta bëjmë këtë dy herë, një herë pas çlirimit në 99 dhe pas shpallës së pavarësisë, kemi konsideruar se ky është momenti më i mirë që të nisemi nga fillimi. Nuk po e shohim që kjo është paraparë diku me disa prej masave tjera përcjellëse me atë që ka qenë kërkesë e jona. Ligji do jetë konturë e përgjithshme se çfarë masa do parashihen dhe do jetë udhëzimi administrativ që rregullon kriteret e përfituesve”, përfundon ai.

Zeka: Deputetët ta shohin me shqetësim mosvotimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se është veprim negativ që sot në Kuvendin e Kosovës nuk u votua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Bizneset po ballafaqohen me shumë vështirësi. Nivelet e qarkullimit janë dukshëm më të ulëta se para shpërthimit të pandemisë. Duhet të shihet me shqetësim kjo, por befasia tjetër është që deputetët nuk po e shohin me shqetësim”, tha Zeka.

Ai tha se Pakoja për Rimëkëmbjen Ekonomike duhet votuar për shkak se shumë biznese janë duke humbur shumë.

“Në anën tjetër, diaspora shihet se nuk do të mund të japë kontributin e vet të plotë”, tha ai në Interaktiv.

Zeka shtoi se kanë kërkuar lehtësim të qasjes në financa, që është problemi më i madh te bizneset, por nuk është realizuar.

“Bizneset më së shumti janë ballafaquar me likuiditetin”, tha ai.