Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e ka vlerësuar veprim të mirë të Qeverisë së Kosovës moskompenzimin e mjeteve të tërhequra në Trust, por ka shtuar se Qeveria nuk duhet ta shoh këtë si masë mbështetëse për qytetarët.
50 për qind e 630 mijë qytetarëve kanë kursime të pakta në Trust. Sipas të dhënave, 160 mijë qytetarë kanë vetëm nga 80 euro të kursyera që i bie se mund të tërheqin vetëm nga 8 euro.
“Do të ketë qytetarë që nuk do të përfitojnë fare nga kjo masë. Qeveria nuk duhet ta shoh si masë mbështetëse, më tepër është kontribut i qytetarëve për ekonominë e vendit sesa masë përkrahje direkte nga ana e shtetit”, tha Zeka në Interaktiv.
Zeka shtoi se plani fillestar i qeverisë për kompenzimin e shumave “ishte gabim”, sepse sipas tij, do të bëhej një padrejtësi te qytetarët sepse jo të gjithë marrin mjete të njëjta.
“Vendimi i mirë është moskompenzimi i mjeteve të Trustit”, tha Zeka.
Qeveria e Kosovës më 22 korrik ka aprovuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Me anë të këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen disa ligje, në mesin e tyre Ligji për fondet pensionale të Kosovës dhe Ligji për tatimin në të ardhura.
Për mjetet e tërhequra nga Trusti, Qeveria ka bërë të ditur se nuk do të ketë tatim. Propozimi për tërheqjen e këtyre mjeteve është bërë me qëllim të ngritjes së kërkesës agregate.