Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të PDK-së, Uran Ismaili i cili tha se Zemaj po nxit rrjetet kriminale me sjelljen e tij ndaj udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.
Zemaj ka thënë se nëse Ismaili ka ditur që kompanitë farmaceutike janë grupe kriminale është dashur t’i adresojë në Prokurori.
“Nëse z.Uran Ismaili e ka ditur që kompanitë farmaceutike dhe shoqatat e farmacistëve apo edhe farmacistët janë grupe kriminale është dashur t’i adresojë në Prokurori dhe në gjykatat vendore, në këtë drejtim edhe unë do ti ndihmoja”, tha Zemaj.
Zemaj tutje ka kritikuar Ismailin për gjendjen në të cilën gjendet shëndetësia.
“Sa i përket kauzës për nivelizim të çmimeve të barnave, mendoj që nuk e mbulojnë pjesën tjetër tuaj të përgjegjësisë të udhëheqjes së MSH, ku pasojat e 20 viteve në shëndetësi sot përballemi me mungesë të shtretërve, objekteve, pajisjeve.
Shumë objekte që sot do të duhej të ishin të ndërtuara kanë në kontekste gjyqësore për shkak të dyshimeve për keqpërdorime”, u shpreh Zemaj.
Ministri tutje kërkoi që të gjithë ata që kanë diçka kundër duhet ta flasin me fakte dhe të mos përdorin fyerje e pa etiketime. /Telegrafi/