Zgjatet afati për paraqitjen e kërkesave për ristrukturim të kredive

Në mbledhjen e sotme të Bordit Ekzekutiv, Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e afatit deri më datë 30 shtator 2020 për paraqitjen e kërkesave për ristrukturim të kredive sipas Udhëzuesit për Ristrukturimin e Kredive për Shkak të COVID-19.

Afati i deritanishëm paraprak ka qenë data 31 gusht 2020.

“Udhëzuesi për Ristrukturimin e Kredive për shkak të COVID-19 u nxor nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës më 8 qershor 2020 me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19, duke synuar që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Udhëzuesi në fjalë aplikohet për të gjitha institucionet financiare të autorizuara për të ushtruar aktivitet të kredidhënies në Republikën e Kosovës. /Buletini Ekonomik/