A rrezikohet likuiditeti i Trustit me tërheqjen e 10 përqindëshit?

Sipas paralajmërimeve, shumë shpejt pritet të votohen ndryshimet ligjore në Kuvend, të cilat mundësojnë tërheqjen e 10 për qind të kursimeve të qytetarëve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, a do të rrezikohet likuiditeti i Trustit në rast se miratohet ky ligj?

Me këtë rast është vlerësuar se diku rreth 200 milionë euro do të tërhiqen nga qytetarët, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njohësit të ekonomisë, Florin Aliut, tërheqja e 10% të mjeteve të Trustit nuk do të thotë që do ta zgjidhë problemin e krizës ku gjindemi, por as që do të rrezikohet likuiditeti i Trustit. Megjithatë, vlerësohet se do të ketë kategori që do të dëmtohen nga ky proces në të ardhmen.

Instituti GAP ditë më parë doli me një njoftim, ku sipas kalkulimeve të tyre qytetarët do të mund t’i tërheqin mesatarisht 31 euro. Sipas kësaj, edhe Aliu tha se kjo shumë nuk e rrezikon likuiditetin e Trustit sepse portfolio i këtij të fundit është i balancuar.

“Nuk besoj se e rrezikon likuiditetin e Trustit sepse portfolio është e balancuar. Në portfolio të Trustit gjenden mjete me likuiditet me të ulët deri te paratë në banka, pra portfolio është e shpërndarë në mënyrë efikase”, tha Aliu.

Edhe përkundër se performanca e mjeteve të Trustit nuk rrezikohet, Aliu thotë se me këtë politikë të mundësisë së tërheqjes së kursimeve nga qytetarët do të dëmtohen direkt pensionistët e ardhshëm, e sidomos ata me të ardhura më të ulëta.

“Nuk rrezikohet performanca e mjeteve të Trustit mirëpo me këtë politikë dëmtohen pensionistët e ardhshëm, veqanërisht dëmtohen ata me të ardhura të ulëta, të cilët kanë portfolio më të vogël në krahasim me këta me të ardhura të larta. Prandaj, me këtë politikë do të ua dëmtojmë të ardhmen personave me të ardhura të ulëta dhe nuk do ta zgjidhim problemin e krizës”, shtoi tutje Aliu.

Siç e dijmë, Trusti vepron në bazë të ligjeve që miratohen në parlamentin e Kosovës. Prandaj, sipas Aliut nuk duhet të presim që të kemi mendimin e tyre, pasi ata janë të obliguar të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe parlamentit.

“Kjo politikë nuk do ta zgjidhë problemin por do të krijojë një precedent që mjetet e Trustit mund të preken”, përfundoi Aliu.

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe në Trust në lidhje me rrezikimin e likuiditetit të tij, mirëpo ata kanë thënë se vetëm zbatojnë ligjet në fuqi dhe vendimet e organeve mbikqëqyrëse dhe se përmbahen nga çdo lloj vlerësimi a gjykimi të vendimeve të intitucioneve tjera shtetërore.

“Ne, si agjenci ekzekutive, duhet të zbatojmë ligjet në fuqi dhe vendimet e organeve mbikëqyrëse. Andaj përmbahemi nga vlerësimi a gjykimi i vendimeve të institucioneve të tjera të vendit. Ne jemi në pritje të ndryshimeve ligjore dhe, nëse ndodhin, do të bëjmë analizat dhe vendimet e nevojshme për t’i zbatuar ato”, ka thënë Jeton Demi, Menaxher i Marrëdhënieve me Publik brenda Fondit Pensional të Kosovës.

Ndryshe, as udhëheqësit e Trustit Pensional duket se nuk kanë qenë ithtarë të idesë për tërheqjen e 10% të kursimeve nga ana e qytetarëve, si mundësi kjo nga ana e Qeverisë për daljen nga kriza e pandemisë. Mirëpo, sipas tyre kontributdhënësit e kanë mirëpritur këtë iniciativë dhe iu takon ta respektojnë.

 “Sa i përket 10 përqindëshit nuk është që kemi qenë ithtarë të kësaj ideje, megjithatë kontribuesit e kanë mirëpritur. Ka pasur alternativa tjera përmes borxhit publik. Por, kemi bërë të gjitha përgatitjet që skema të ekzekutohet në rast se ndryshohet Ligji në Kuvend. Ne jemi përfshirë në fazën e zbatimit të pakos për Rimëkëmbje Ekonomike”, kishte thënë Kryetari i Bordit të Fondit për Kursime Pensionale, Ruzhdi Morina. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/