Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 15 të pandehurve për veprat penale: falsifikim i dokumenteve, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.
Në njoftimin e prokurorisë, të pandehurit identifikohen vetëm me iniciale dhe thuhet se në periudhën kohore nga mesi i vitit 2018 deri më 5 korrik, 2019, disa prej tyre, me anë të programit kompjuterik “Corel Draw”, kanë përpiluar dokumente publike të falsifikuara dhe të njëjtat më pas “ua kanë siguruar dhe shitur personave të ndryshëm”, që tani janë po ashtu të pandehur.
Këta të fundit kanë aplikuar për vizë në Ambasadën amerikane në Shkup dhe të dhënat e tyre, pas verifikimit dhe krahasimit, “janë vërtetuar se janë të falsifikuara dhe nuk korrespondojnë me të dhënat reale përkatëse”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po sipas njoftimit, njëri i pandehur, në periudhën kohore 2014-2019, është munduar të fshehë apo t’i shmanget në tërësi pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj.
“Në aktakuzë, gjykatës i është propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, t’i shpallë fajtorë të pandehurit për veprat penale që akuzohen dhe t’i gjykojë sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokuororisë Speciale të Kosovës.