Tiranë, 24 shtator – Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten leku forcoi pozitat ndaj euros dhe humbi terren në raport me dollarin amerikan.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane këmbehet me 106.21 lekë ose 0.43 lekë më shumë se një ditë më parë.
Ndërsa euroja u zhvlerësua me 0.12 lekë dhe këmbehet me 123.76 lekë.
Në pozita të kundërta këmbehet me lekun edhe paundi britanik e franga zvicerane.
Monedha britanike u forcua me 0.78 lekë dhe këmbehet me 135.35 lekë, kurse monedha zvicerane humbi 0.25 lekë dhe këmbehet 114.80 lekë.
Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.
Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore/ATSH.