Gastronomët kërkojnë heqjen e kufizimit të lëvizjes, paralajmërojnë protesta

Me anë të peticionit, Shoqata e Gastronomisë do të kërkojë heqjen e kufizimit të lëvizjes nga ora 22:30 dhe mbështetje financiare nga institucionet e Kosovës.

Sipas përfaqësuesve të gastronomëve, ata janë duke u përballur me humbje gjatë kësaj kohe dhe se në vazhdimësi janë duke kërkuar nga Qeveria që të ndryshojë vendimin, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Për shkak të pandemisë nuk dëshirojmë qe të bëjmë grumbullim në shesh por provojmë që gjate një jave të mbledhim 10 mije nënshkrime, një peticion për heqjen e kufizimit të lëvizjes dhe pas këtij peticioni po presim një seance te jashtëzakonshme nga Kuvendi”, ka thënë Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomisë.

Zgjatja e orarit të punës deri në orën 24:00, dhe lejimi i shfrytëzimit të hapësirave brenda lokaleve janë ndër kërkesat e tyre, e nëse ato nuk plotësohen, gastronomët thonë se do të protestojnë sërish.

“Kërkesat tona fatkeqësisht kane hasur ne veshë te shurdhër sa i përket rimëkëmbjes se pakove ekonomike deri tash asgjë nuk ka reaguar shteti vetëm fjale mirëpo te njëjtën kohe kërkesat tona primare është heqja e kufizimit te lëvizjes dhe lejimi i funksionimit te bizneseve brenda sezonit vjeshte dimër”, ka deklaruar Kllokoqi.

Më 5 korrik, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që gastronomia të punojë deri në orën 21:00 të mbrëmjes, çka edhe bëri që përfaqësues të këtij sektori të dalin në protesta, që më pas u pasua me zgjatjen e orarit deri në orën 22 e 30.

Ani pse disa kinema kanë paralajmëruar hapjen e tyre së shpejti, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë. Nga kjo ministri kanë thënë se vazhdojnë të vlejnë masat e deritanishëm, dhe se deri në javën tjetër nuk pritet të ndryshohen ato.