Programi i granteve për bujqit i paraparë për këtë vit dhe vitin tjetër kap shifrën e 29 milionë eurove, ka thënë ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online.
Tutje, ai tha se pandemia nuk ka pasur efekt negativ, madje sipas tij, efektet pozitive janë vërejtur në rritjen e aplikacioneve , ku kanë arritur në 27 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
“Programi i zhvillimit rural apo programi i granteve për vitin 2020 dhe 2021 është një program i përbashkët dhe kap vlerën prej 29 milionë euro”.
“Jo në fakt jemi në rritje të aplikacioneve për 27% në krahasim me vitin 2019. Pra pandemia nuk ka pasur efekt negative, në fakt ka pasur efekt pozitiv në rritjen të aplikacionit për 27% dhe kemi lehtësuar procesin e aplikimit duke e bartur komplet online procesin e aplikimit për grante”.
Ministri Mustafa theksoi se nuk ka pasur zvogëlim të buxhetit dhe si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike kësaj ministrie i janë shtuar edhe 24 milionë euro për pjesën e subvencioneve.
“Nuk ka pasur zvogëlim të buxhetit por ka mbetur ai i njëjti që ka qenë si para pandemisë edhe pas pandemisë dhe si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike ministrisë së Bujqësisë i janë shtuar edhe 24 milionë euro buxhet për pjesën e subvencioneve të cilat kemi obligim ligjor që së shpejti t’i shpallim edhe pjesën e kritereve dhe procedurave dhe si do i ndajmë ato mjete për bujqit tanë”.
Ai tha se këtë vit janë dyfishuar rendimentet e grurit, duke shtuar se rritja e sipërfaqeve të mbjella në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 është dukshëm më i mirë.
“Tash është një listë e gjerë e produkteve prandaj e kam të pamundur të listojë rendimente për gjithsecilin por po e marr shembull grurin ka gati dyfishim të rendimentit të grurit këtë vit”.
“Pra kemi një vit mjaft të mirë sa i përket kulturave bujqësore dhe presim rritje të rendimentit këtë vit, por mbi të gjitha kemi vërejtur edhe një rritje të sipërfaqeve të mbjella në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019”, shtoi ai.
Ndërsa sa i përket sistemit të ujitjes, ministri Mustafa tha se ka një plan 15 vjeçar për të gjithë territorin e Kosovës.
“Sa i përket sistemit të ujitjes do të kemi një plan 15 vjeçar për të gjithë territorin në Kosovë dhe sa i përket investimeve kapitale”, tha ai.