Zvicra ishte sërish investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e dytë të vitit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fluksi i investimeve zvicerane arriti në 74 milionë euro, në rritje me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 57% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Investimet zvicerane lidhen kryesisht me gazsjellësin TAP, që pavarësisht se ka mbyllur pjesën më të madhe të punimeve tokësore, duket se po gjeneron volume të rëndësishme investimesh nga puna në tubacionet nëndetare.
Në tremujorin e dytë, një frenim pësuan investimet holandeze, që zbritën në 45 milionë euro, pasi kishin kërcyer në 98 milionë euro në tremujorin e parë. Investimet holandeze lidhen kryesisht me kompani të regjistruara offshore në këtë vend dhe që kontrollojnë investitorë të rëndësishëm në Shqipëri, si Devoll Hydropower apo Vodafone.
Nivelet e larta të investimeve holandeze në vitet e fundit lidhen kryesisht me HEC-et e Banjës dhe të Moglicës, të ndërtuara në kaskadën e lumit Devoll.
Shteti i tretë për nga fluksi i investimeve të huaja në tremujorin e tretë ishte Turqia. Edhe investimet turke besohet se lidhen kryesisht me sektorin energjetik dhe vijnë nga një prej nënkontraktorëve të rëndësishëm të gazsjellësit TAP, si kompania Limak, apo Ayen Energy, që po ndërton dy HEC-e të rëndësishme në kaskadën e lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël, në Mirditë. Flukse dyshifrore të investimeve të huaja në tremujorin II gjeneruan edhe Austria me 19 milionë euro dhe Italia me 18 milionë euro.
Për të gjithë 6-mujorin e parë të vitit, investitori më i madh i huaj në Shqipëri ishte Holanda, me 143 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 119 milionë dhe nga Turqia me 48 milionë euro.
Për tremujorin e dytë, Shqipëria thithi investime të huaja në vlerën e 221 milionë eurove, në rënie për të dytin tremujor radhazi, me 10.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 6-mujorin e parë 2020, fluksi i investimeve të huaja arriti në 454 milionë euro, 16.8% më pak krahasuar me 6-mujorin 2019.
Renditja e investitorëve të huaj sipas stokut të investimeve të deritanishme vazhdon të kryesohet nga Zvicra, me 1.58 miliardë euro, që në pjesën dërrmuese kanë hyrë për të financuar gazsjellësin TAP. Ky projekt i ka rritur investimet zvicerane me 16 herë në pesë vitet e fundit.
Investitori i dytë më i madh është Holanda, me një stok investimesh në vlerën e 1.35 miliardë eurove. Edhe investimet holandeze kanë qenë në rritje të qëndrueshme, kryesisht falë projekteve të Devoll Hydropower.
Investitori i tretë që qëndron sipër kufirit të 1 miliardë eurove është Kanadaja, me 1.1 miliardë euro. Investimet kanadeze lidhen me aktivitetin e kompanisë më të madhe nxjerrëse të naftës bruto në vend, Bankers Petroleum. Megjithëse ajo është tashmë kontrollohet nga një kompani kineze, ky kontroll është i tërthortë, ndaj statistikat i raportojnë ende investimet e Bankers si kanadeze.
Shtete të tjera që mbajnë ende vlera të mëdha investimesh në Shqipëri janë Italia me 795 milionë euro, Turqia me 608 milionë euro, Austria me 550 milionë euro dhe Bullgaria me 530 milionë euro. Ndërkohë, investimet greke kanë rënë tashmë në vlerën e 487 milionë eurove, pas tërheqjes së investitorëve grekë nga sektorë strategjikë të shërbimeve, si telekomunikacionet apo shërbimet financiare. /Monitor.al/