Komisioni Evropian ka miratuar mbi 138 milionë euro si asistencë për Kosovën përmes programeve IPA 2019 dhe IPA 2020 për Kosovën dhe Marrëveshjet përkatëse të Financimit janë nënshkruar nga të dy palët. Vendimi IPA 2019 u përmend edhe dje në mbledhjen e Qeverisë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një kumtese thotë se nga kjo shumë, 50 milionë Euro janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga COVID-19 në afat të shkurtër dhe të mesëm.
“Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale”, theksohet në njoftim.
Tutje thuhet se BE-ja tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomash Sunjog (Tomas Szunyog), mirëpriti nënshkrimin e Programeve Vjetore të Veprimit IPA 2019 pjesa II dhe 2020 për Kosovën.
“BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga COVID-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Sunjog.
Përmes këtyre programeve, Komisioni Evropian do t’i përkrahë bizneset fillestare dhe mikro-bizneset, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve dhe grave, cilësinë e arsimit të lartë, mbrojtjen sociale dhe nevojat themelore të familjeve në varfëri ose pa të ardhura, dhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor. Ai gjithashtu do ta përkrahë Kosovën në parandalimin e degradimit mjedisor të tokës dhe ajrit dhe ndikimin negativ në shëndetin e njeriut duke zvogëluar ndotjen me mbetje të ngurta dhe emetimet nga prodhimi i energjisë.