Nga informacionet e para që vinin nga Kina tek alarmet e OBSH-së, të pasuara nga kufizimet dhe ndërprerja ekonomike globale.
Më poshtë vijojnë 10 etapat kyçe të përhapjes së COVID-19, e cilësuar si pandemi që prej gjashtë muajsh.
Më shumë se 900 000 të vdekur dhe 27,6 milionë raste infektimi janë regjistruar zyrtarisht.
– Viktima e parë –
Më 31 dhjetor 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftohet nga autoritetet e Wuhanit se bëhej fjalë për raportimin e rasteve të pneumonisë virale në qytet. Organizata ndërkombëtare mori një konfirmim nga autoritetet kineze vetëm tri ditë më pas.
Më 7 janar 2020, një koronavirus i ri u identifikua. Katër ditë më vonë, Pekini njoftoi viktimën e parë.
– Wuhani shkëputet nga bota –
Më 23 janar, qyteti i Wuhanit u shkëput nga bota. Në ditët në vijim, ky do të ishte rasti për pothuajse të gjithë provincën e Hubeit. Vendet fillojnë të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga Kina.
Viktima e parë zyrtare jashtë Azisë u njoftua më 15 shkurt, një turist kinez i shtruar në një spital në Francë.
– Një pandemi –
Më 6 mars, epidemia kalon pragun e 100 000 rasteve të regjistruara në botë. Më 8 mars, Roma vendos kufizimin në veri të vendit, i shtrirë disa ditë më pas në të gjithë Italinë.
Më 11 mars, OBSH-ja e cilëson COVID-19 si pandemi.
Tregjet e bursave botërore regjistrojnë humbje historike. Qeveritë dhe bankat qendrore njoftojnë masat e para mbështetëse për ekonominë.
– Europa mbyllet –
Më 16 mars, Gjermania i kërkon popullsisë së saj të qëndrojë në shtëpi dhe Britania e Madhe për të shmangur çdo kontakt social.
Franca kufizohet duke nisur nga 17 marsi ndërkohë që Bashkimi Europian njofton mbylljen e kufijve të jashtëm.
– “Kërcënim për njerëzimin” –
Më 24 mars bëhet njoftimi për shtyrjen e Lojërave Olimpike të Tokios nga korrikut 2020 në vitin e ardhshëm. Të nesërmet., OKB thekson se përhapja e pandemisë kërcënon mbarë njerëzimin.
– Gjysma e botës e kufizuar –
Masa kufizuese u morën kudo në botë. Më 2 prill, më shumë se 3,9 miliardë persona, pothuajse gjysma e njerëzimit, u detyruan të kufizohen, sipas të dhënave zyrtare. Po të njëjtën ditë, pragu prej një milion raste me COVID-19 u kalua në botë.
– Ekonomia e gjunjëzuar –
Më 29 prill, kompania ajrore amerikane “Boeing” shkurton 16 000 vende pune. Transportuesit ajrorë, prodhuesit e makinave dhe të tjerët, shumë grupe të mëdha po vuajnë dhe po shpallin ulje të fuqishme të fuqisë punëtore.
– Polemika hidroksiklorokinë –
Promovuar nga profesori francez Didier Raoult, mbështetur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hidroksiklorokina klasifikohet si joefektive nga një studim ndërkombëtar, i publikuar më 22 maj.
Por ky botim, i cili përmban gabime, më pas tërhiqet. Më 5 qershor, një provë britanike në mënyrë të ngjashme arriti në përfundimin se produkti ishte joefektiv.
– Përhapje në Amerikën Latine –
Më 7 qershor, pandemia kalon pragun e 400 000 viktimave dhe progreson ndjeshëm në Amerikën Latine. Brazili bëhet vendi i dytë më i prekur nga COVID-19, pas SHBA-së.
– Maskat dhe anti-maskat –
Rritja e rasteve po çon disa vende europiane të imponojnë mbajtjen e maskave. Në fund të gushtit dhe fillimin e shtatorit, demonstrata kundër maskave janë organizuar në Berlin, Londër, Paris dhe Romë.