Kanadaja dhe Arabia Saudite kanë qenë dy furnizuesit më të mëdhenj të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke eksportuar më shumë se 1 milion fuçi nafte në ditë në qershor.
Siç bën të ditur Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA), Kanadaja mbeti eksportuesi më i madh i produkteve totale të naftës në SHBA duke eksportuar 3.8 milionë fuçi nafte, ndërsa Arabia Saudite e ndoqi me 1.2 milionë.
Produktet e naftës përfshijnë jo vetëm naftën bruto, por benzinën, naftën, vajin ngrohës, karburantin e avionit, lëndën e parë kimike, asfalt, biokarburante (etanol dhe bionaftë) dhe produkte të tjera.
Sipas EIA, pesë vendet kryesore të importit të naftës bruto në SHBA në vitin 2019 kanë qenë Kanadaja, Meksika, Arabia Saudite, Rusia dhe Kolumbia.
Pesë vendet eksportuese si Kanadaja, Arabia Saudite, Meksika, Kolumbia dhe Iraku përbënin 90 për qind të importeve të naftës bruto në SHBA në muajin qershor. Përafërsisht 97 për qind e të gjitha importeve të naftës bruto të SHBA-së erdhën nga këta eksportues së bashku me Ekuadorin, Nigerinë, Rusinë, Norvegjinë dhe Angolën.
Importet totale të naftës bruto në SHBA kanë qenë mesatarisht 6.4 milionë fuçi në muajin qershor, duke shënuar një rritje prej 310 mijë fuçi nga importet gjatë majit të vitit 2020, treguan të dhënat e EIA-së.
Në vitin 2019, SHBA importoi rreth 9.1 milionë fuçi nafte nga gati 90 vende ndërsa vendi eksportoi rreth 8.57 milionë fuçi nafte në rreth 190 vende dhe katër territore të SHBA-ve.
Sipas raportit të IEA-së në dhjetor të vitit 2019, SHBA ka 43.8 miliardë fuçi rezerva të naftës së papërpunuar të vërtetuar në fund të vitit 2018. /AA/