Ministra e zyrtarë, komisioni për hetimin e privatizimit do të intervistojë 21 persona

Kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, Hajrulla Çeku, në një konferencë për media ka treguar për veprimet që janë marrë në fazën e parë të punës së komisionit, raporton Gazeta Express.

Çeku para mediave ka bërë të ditur se ky komision ka mbajtur mbledhje të rregullta në baza javore, derisa thotë se tashmë është miratuar plani i punës.

“Tashmë kemi hyrë ne muajin e dytë të puëns, deri tash kemi mbajtë mbledhje në baza javore ku janë mbajtë mbledhje të rregullta, fillimisht është miratu plani i punës, është miratu lista e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim. I kemi angazhuar katër ekspertë të jashtëm dhe që nga fillimi deri në këtë moment kemi grumbulluar një numër të madh të provave dhe dokumenteve”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti i LVV’së ka treguar se kush do të intervistohet nga komisioni duke kërkuar edhe nga të gjithë ata që kanë dëshmi për procesin e privatizimin t’i dorëzojnë në komision.

“Me rëndësi është intervistimi i dëshmitarëve është punë shumë e rëndësishme në listë i kemi 21 dëshmitarë dhe në këtë grup bëjnë pjesë ish’ministra përgjegjës për privatizimin, kryesues dhe anëtar të komisionit.

Nga 12 tetori e tutje do të fillojë intervistimi i dëshmitarëve, derisa, do të ketë edhe grup të dytë ku hyjnë pronar të kompanive, gazetarë që e kanë përcjellë dhe monitoru punën e ndërmarrjeve”, ka thënë ai.