Pas humbjes së punës gjatë pandemisë në muajin mars, Medina Xaja nga Gjakova nuk po arrin të paguajë shpenzimet komunale.
Në familjen e tetë-anëtarëshe, Xaja thotë se është i punësuar vetëm një anëtar i familjes, nëna e saj, dhe të ardhurat mujore janë 250 euro. Nga këto të ardhura, mbulohet edhe kredia prej 100 eurosh.
“Po mundohemi disi t’i mbulojmë shpenzimet, por me një shumë prej 150 eurosh nuk po arrijmë të jetojmë dhe të paguajmë shpenzimet. Nuk na kanë liruar nga pagesat. Rrymën e paguajmë, ndërsa shërbimet e ujit dhe mbeturinat nuk i paguajmë, nuk kemi mundësi”, thotë ajo.
Në kompanitë komunale, të cilat ofrojnë shërbime për ujë, kanalizim dhe mbeturina, janë grumbulluar borxhe të mëdha.
Deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë sjellë ndonjë vendim për lirim nga pagesa të shërbimeve komunale për personat të cilët kanë humbur vendin e punës dhe të cilëve u janë rënduar kushtet ekonomike e sociale gjatë pandemisë me koronavirus.
Kompania Rajonale të Ujësjellësit (KRU) ‘Prishtina’, furnizon me ujë tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse në këtë kompani, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës së pandemisë mars – gusht, janë krijuar borxhe nga konsumatorët në vlerë të mbi 2 milionë eurove.
Ajo thotë se nuk kanë të drejtë ligjore si Ujësjellës që konsumatorët t’i lirojnë nga pagesa për shërbime, por lehtësime kanë ofruar çdoherë dhe vazhdojmë ta bëjnë një gjë të tillë.
“Vetëm gjatë periudhës së pandemisë në muajt mars-gusht 2020 borxhi arrin shumën mbi 2 milionë eurosh. KRU ”Prishtina” gjithmonë ka pasur konsideratë për rastet me kushte ekonomike më të rënduara dhe pikërisht për arsye dhe raste të tilla ne ua kemi mundësuar disa lehtësime konsumatorëve që borxhin e akumuluar ndaj shërbimeve për ujë e kanalizim ta riprogramojnë me këste mujore prej 12-36 muaj”, thotë Mjeku.
Deri më tani ajo thotë se nuk kanë pasur asnjë kërkesë nga ndonjë konsumator për shtyrje të pagesës së faturave të ujit, por edhe para pandemisë edhe tash konsumatorët kërkojnë që të riprogramojnë borxhet e tyre të grumbulluara.
“Ne kemi përgatitur dhjetëra lëndë për procedim te përmbaruesit privatë të konsumatorëve me borxhe të mëdha, por dërgimi i tyre te përmbaruesit do të bëhet në një periudhë më të përshtatshme”, thotë Mjeku.
Mesatarja e pagesës së faturës së ujit për një familje është nga 10 deri në 12 euro.
“Pastrimi” nga 15 shtatori fillon procedurat ndaj borxhlinjve
Borxhe brenda gjashtë muajve të situatës me pandeminë COVID- 19, janë krijuar edhe në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, e cila kryen shërbime në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës.
Fatura mujore për shërbimet që ofron kjo kompani është prej afro 5 eurosh.
Arbnore Ademi, zëdhënëse në këtë kompani, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga muaji mars deri në gusht, borxhi i konsumatorëve është mbi 500 mijë euro.
Ajo thotë se për shkak të situatës me pandemi nuk është menduar që të bëhet lirim nga pagesa e ndonjë konsumatori, pasi që nuk kanë ndonjë vendim nga Qeveria e Kosovës.
“Kompania ‘Pastrimi’, është kompani publike me vetëfinancim, që nënkupton se të hyrat e mjeteve financiare i siguron vetë. Mospagesa e faturave të mbeturinave vështirëson punën e kësaj kompanie e sidomos gjatë periudhës se pandemisë. Prandaj edhe mundësitë për lirim nga pagesa janë gati të pamundura”, thotë Ademi.
Duke filluar nga data 15 shtator 2020, shton Ademi, kompania Pastrimi, do të fillojë procedimin e konsumatorëve borxhlinj në procedurë përmbarimore te përmbaruesit privatë.
Qytetarët e paguajnë rrymën
Ndërkohë qytetarët nuk kanë krijuar borxhe të mëdha ndaj kompanisë për furnizim me energji elektrike.
Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve u janë përgjigjur thirrjeve që të paguajnë faturat dhe gjendja është stabile.
Ai thotë se gjatë pandemisë për të gjithë konsumatorët kanë qenë të kujdesshëm dhe nuk kanë aplikuar shkyçje apo masa të tjera.
“KEDS është kompani ekzekutive, nuk është një kompani që amniston dikë nga borxhi. Në bazë të vendimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ligjeve në fuqi që rregullojnë çështjet e furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike ne jemi të obliguar që të gjithë konsumatorët të trajtohen në mënyrë të barabartë, pra nuk mund të favorizojmë dikë pavarësisht nga rrethanat që paraqiten”, thotë Buzhala.
Gani Smakaj, zyrtar i lartë i kontrollit dhe mbikëqyrjes në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë që të gjitha familjet të cilat kanë nevojë për ndihmë sociale, duke përfshirë edhe personat të cilët kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë Covid 19, mund të drejtohen me kërkesë te Qendra për Punë Sociale në komunën përkatëse.
Ai megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen lidhur me mundësinë për lirim nga pagesat të shërbimeve komunale për qytetarë, të cilët janë ballafaquar më vështirësi financiare gjatë pandemisë.
Masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë, kanë shkaktuar humbje të mëdha për ekonominë e vendit.
Shumë të punësuar kanë humbur vendin e tyre të punës dhe bizneset po ballafaqohen më vështirësi të mëdha financiare.
Kosova nuk ka një numër të saktë të qytetarëve që kanë humbur vendin e punës, por sipas Odës Ekonomike të Kosovës nëse merren parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, deri në 25 mijë vende pune mund të humbin si pasojë e pandemisë.