Problemet e mëdha të bizneseve për të regjistruar të punësuarit nga Shqipëria, për të cilët po ka nevojë shumë biznesi e në veçanti zona e Prizrenit dhe Gjakovës dhe lehtësimi i këtyre procedurave që qytetarët e Shqipërisë të regjistrohen në sistemin tatimor të Kosovës si të punësuar të barabartë në tregun tonë ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të OAK-së me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.
Në këtë takim u kërkua që ky problem të jetë në tavolinën e bisedimeve të dy Qeverive që pritet të mbahet me datën 2 tetor.
“OAK shpalosi këtë sfidë me të cilën po përballen bizneset që kanë të punësuar staf nga Shqipëria dhe theksoi barrierat me të cilat po përballen për të u regjistruar në tregun e punës në Kosovë. Andaj nga ambasadori kërkoi përkrahje në mënyrë që këto formalitete të eliminohen dhe të mundësohet liberalizimi i tregut të punës në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
OAK tha se ka probleme të mëdha në këtë drejtim dhe u potencua që autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të krijojnë lehtësira për këta të punësuar.
Ambasadori Minxhozi duke mirëkuptuar këtë kërkesë, shprehu gatishmëri për përkrahje dhe theksoi që do ta sensibilizojë si çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Të dyja palët ranë dakord që kjo është çështje thelbësore që ky proces të shtyhet përpara. /Telegrafi/