Kuvendi i Kosovës sot do të hedhë sërish në votim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që midis tjerash, parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.
Deputetët do të votojnë edhe rreth dy propozim-rezolutave rreth menaxhimit të pandemisë, asaj të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit, pas lejimit të përmbarimit të vendimit përfundimtar OEN të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes është pika e dytë.
Legjislativi do të votojë në parim edhe rreth Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nuk është votuar në lexim të parë gjatë gushtit, pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin refuzuar ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.