Propozohen katër ekspertë për hetimin e privatizimeve në Kosovë

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kosovës ka propozuar katër ekspertë të huaj që të jenë pjesë e hetimit lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit, emrat e ekspertëve nuk janë bërë publik, megjithatë ka pasur mospajtime dhe diskutime mes anëtarëve të komisionit.

Doruntinë Maloku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar që pjesë e këtyre ekspertëve, të jetë edhe një kandidat i propozuar nga ajo. Në këtë rast, deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka refuzuar duke thënë se propozimi i saj ka ardhur me vonesë.

Reklama e sponzorizuar

“Kandidati që ka qenë nga zonja Maloku, ka ardhur në ditën kur është paraparë të votohen ekspertet. Nëse e keni seriozisht ne mund të shkojmë përpara dhe t’i votojmë emrat që janë në këtë listë. Ka pasur emra që kanë hezituar të hyjnë në këtë komision ndoshta edhe për shkak të punës që ka ky komision por edhe të pagës që ofron kjo punë”, ka deklaruar deputeti i VV-së, raporton EO.

Ndërsa, Maloku në kundërpërgjigjen e saj ka thënë se nuk mund të votohen katër kandidatë, vetëm për vullnetin e dy anëtarëve.

“Ne jemi harmonizuar që t’i thërrasim tre ekspertë dhe jo katër. Sot mund t’i votojmë vetëm për 3 ekspertë dhe jo për katër sepse nuk mundemi që t’i votojmë katër vetëm pse janë pro dy anëtarë e tjerë jo”, tha ajo.

Kryetari i këtij komisioni, Hajrulla Çeku, tha se anëtarët tjerë po kanë tendencë që ta zvarritin procesin e privatizimit në Kosovë.

Ndërsa, Maloku tha se nuk është kundër të propozuarave të tjerë, pro që dëshiron që të votohet edhe kandidati i saj.

“Kemi mundur t’i kemi 100 propozime dhe nuk jam kundër kandidatëve që i keni propozuar, por jam edhe pro që ta fus edhe kandidatin tim. E kuptoj që nuk e kemi edhe shumicën”, tha Maloku.

Anëtarët e komisionit kanë vendosur që mbledhja e radhës të mbahet me 12 tetor kur do të ftohet mbledhja e parë për intervistim.