Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u aprovua marrëveshja për financimin e projektit për Ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Gjilan, në vlerë prej 11 milionë euro, dhe Marrëveshja me BERZH-in në vlerë 30 milionë euro për kredi emergjente për infrastrukturë vitale.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami bëri të ditur se Marrëveshja për Ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Gjilan ka për qëllim mbështetjen e projektit të rëndësishëm për mbrojtje të ambientit duke mundësuar trajtim të ujërave të zeza për rreth 76 mijë banorë të Komunës së Gjilanit.
Marrëveshja tjetër e aprovuar është ajo ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit “Kredia Emergjente për Infrastrukturë Vitale”, në vlerë prej 30 milionë euro. Ministrja Bajrami tha se qëllimi i kësaj marrëveshje është t’u ofrojë likuiditet Ndërmarrjeve Publike Qendrore, regjionale dhe lokale përmes ofrimit të kredive me interes të volitshëm për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19.