Qumështarët paralajmërojnë bllokimin e rrugëve në shenjë proteste

Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Qumështit, Ramadan Memaj, ka paralajmëruar protesta të fermerëve ditëve në vijim, ku mund të bllokohen edhe rrugët gjithandej Kosovës.

Ai ka thënë se veprimi i vetëm i përgjegjshëm është largimi i produkteve me vaj të palmës.

“Ne mendojmë se veprimi i vetëm i përgjegjshëm dhe kompatibil me situatën e krijuar, është largimi i produkteve të tilla sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Memaj për “Interaktiv” në KTV. “Për fat të keq, kemi ardhur në një situatë kur ka filluar qumështi të derdhet, nuk është reaguar me kohë përkundër riinstitimit tonë të vazhdueshëm që t’i paraprihet kësaj, pasi ishim të sigurt se do të vi te kjo gjendje. Nuk jemi marrë seriozisht, nuk jemi trajtuar seriozisht, është situata ku është. Femerët nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga protestat. Sot e keni parë një protestë që nuk ka qenë aq masive, por ditët e ardhshme mund të shihni bllokim të rrugëve gjithandej Kosovës nëpër komuna, ku femerët do të dalin me gjitha mjetet bujqësore për ta shprehur revoltën e pakënaqësinë. Shpresoj të mos arrij deri te kjo, por ata insistojnë se kjo të ndodhë shumë shpejt, qysh dy-tri ditë të ardhshme. Por shpresoj dhe besoj se tanimë Qeveria e Kosovës do ta marrë seriozisht gjendjen e krijuar, do të bashkëpunojë me ne ta gjejmë zgjidhje të përbashkët e të mos lejojmë gjithë ky investim të shkoj dëm dhe qa është më e keqja të cenohet shëndeti i konsumatorëve”.

Reklama e sponzorizuar

Memaj: Zgjidhje për fermerët e qumështit është pika e grumbullimit të tij

Udhëheqësi i protestës së fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj, ka deklaruar se Qeveria nuk është duke iu bërë zgjidhje për çështjen e grumbullimit të qumështit.

Ai për Interaktiv ka deklaruar se zgjidhje do të ishte një vendim i Qeverisë për fillimin e grumbullimit të qumështit.

“Për shkak të keq, Qeveria e Kosovës është munduar të krijojë një lloj balanci në mës të prodhuesve, përpunuesve dhe atyre që e punojnë me vaj të palmës, duke menduar se zgjidhja mund të gjendet në tavolinë”, ka deklaruar Memaj.

Memaj: Fabrikat e qumështit s’kanë bazë ligjore për blerjen e vajit të palmës

Ramadan Memaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Qumështit, në Interakiv të KTV-së ka thënë se një fabrikë e qumështit në Kosovë nuk ka bazë ligjore dhe asnjë lloj të drejte që të blejë produkte të tilla si vaji i palmës.

“Është një konsum shumë i madh, përveç problemeve dhe dëmeve që po i shkakton industrisë së qumështit, para së gjithash është problem shëndetësor, problem i sigurisë që do të duhej seriozisht të trajtohej. Importimi i këtyre produkteve bëhet me certifikatë veterinare. Ky është dokument i cili shfrytëzohet për të lejuar importin e produkteve të cilat kanë origjinë shtazore”, ka thënë Memaj. “Pra, bëhet fjalë ta zëmë rregulloren numër 18/2012, e cila rregullon importin e prodhimeve të qumështit dhe aty specifikisht determinohen se cilat janë ato lloje të qumështit, ta zëmë, të lopës, të deles, dhisë dhe buallicës dhe produkteve të qumështit”.

Ai ka shtuar se kjo rregullore është përdorë dhe vazhdon të përdoret dhe të jetë në fuqi.

“Ajo përdoret edhe për importimeve e produkteve me origjinë bimore, të cilat kanë edhe përmbajtje të vajit të palmës. E kemi një kundërshtim ose pamundësi në aspektin ligjor që të jetë e lejuar, për faktin se në asnjë formë apo mënyrë nuk përcaktohen kushtet dhe kriteret që duhen plotësuar, sipas një certifikate të caktuar se cilat janë ato kushte që duhet të plotësohen që këto produkte duhet të lejohen të importohen. Pra, këtu kemi të bëjmë me një shkelje ligjore të nivelit shumë të lartë. Kjo për shkak se kemi importe për shumë vite dhe dëme që janë shkaktuar që tashmë po shihen”, ka thënë Memaj. “Kemi edhe vakum ligjor edhe brenda për brenda për faktin se, ta zëmë, fabrikat e përpunimit të qumështit janë të licencuara nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës për përpunimin e qumështit. Dhe ta zëmë një përpunues vendor, një fabrikë e qumështit në Kosovë nuk ka bazë ligjore, asnjë lloj të drejte që të blejë produkte të tilla si vaji i palmës, proteina nga Kina, nga vende të ndryshme, t’i përziejë ato sipas tekeve të veta dhe mandej të prodhojë një produkt që as ai vet nuk mund ta dijë se çfarë është. Por, në një moment të caktuar mund t’ia vendosë një tiketë dhe një emër dhe atë ta shesë në treg si gjizë, djathë apo kaçkavall. Pra, këtu kemi të bëjmë me shkelje ligjore”.

Memaj ka bërë të ditur se për këtë kanë bërë edhe kallëzim penal më herët.https://www.youtube.com/embed/X9057wu3BgY

Memaj: Vaji i palmës po shkatërron bizneset e fermerëve dhe shëndetin e qytetarëve

Ramadan Memaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Qumështit, ka thënë se vaji i palmës po e rrezikon jetën e qytetarëve, ndërkohë që ata që po e importojnë atë po i shkatërrojnë bizneset e dhjetëra fermerëve të qumështit.

Për këtë, sot në Prishtinë është mbajtur edhe një protestë, meqë fermerëve nuk po iu blihet qumështi.

Memaj në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se e gjithë kjo po ndodh për shkak të vakumit ligjor.
“Kemi të bëjmë me një vakum ligjor, i cili është duke u shfrytëzuar në mënyrë të egër nga disa importues dhe disa prodhues vendorë, të cilët sjellin nga jashtë produkte të cilat kanë përmbajtje të yndyrave bimore dhe të cilat më pas në Kosovë shiten si produkte të qumështit. Pra bëhet fjalë për më tepër se 10 milionë kilogramë produkte të tilla në vit dhe kjo e shndërruar në litra qumështi del se është një sasi mbi 50 milionë litra që ishte dashur të prodhohen në Kosovë në mënyrë që këto produkte të zëvendësohen. Pra problemi kryesor i tepricave të qumështit dhe i stoqeve të cilat ekzistojnë në depot e qumështit janë produktet e jashtëligjshme me vaj bimor, pra të palmës”, ka thënë Memaj.

Ai ka tërhequr vërejtjen se vaji i palmës nuk po dëmton vetëm bizneset, por edhe shëndetin e qytetarëve.

“Ky vaj i palmës nuk është se përdoret vetëm si vaj, por përzihet me proteina, me hir pluhur, me modifikime gjenetike shpesh herë, që paraqesin problem serioz për qytetarët. Vaji i palmës është konstatuar shkencërisht se është kancerogjen dhe gjenotoksik, që i bie se shkatërron kromozomet e njeriut dhe përcillet te gjeneratat tjera. Në shumë vende në Evropë e kanë larguar nga tregu, aq më keq në Kosovë nuk dihet se i çfarë cilësie vjen”, ka thënë Memaj në Interaktiv.