Rënia e qarkullimit te bizneset është rreth 1 miliard euro

Rimëkëmbja ekonomike ka qenë shkaku që u bënë bashkë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me kryetarin e Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Të tre janë shprehur optimistë se votimi i Projektligjit për rimëkëmbje krijon mundësinë që të ndihmohet ekonomia kosovare e madje, edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Hoti ka theksuar se është themeluar një fond në buxhetin e Kosovës prej 365 milionë eurosh, së cilës i janë shtuar edhe 100 milionë nga Ministria e Financave, e që gjatë javës së ardhshme pritet t’i ndajnë kryesisht në subvencionimin e pagave.

Reklama e sponzorizuar

Derisa Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës theksoi dy elemente të rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike.

Të dhënat zyrtare nga Administrata Tatimore e Kosovës, sipas Rukiqit, tregojnë se rënia e qarkullimit te bizneset është rreth 1 miliard euro, çka ka reflektuar edhe te të hyrat në buxhetin e shtetit.

Arian Zeka nga Oda Amerikane, derisa ka përmendur dëmet e shkaktuara nga pandemia në sektorin privat, ka shprehur optimizëm për ngritjen ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbjen, të premten, për herë të katërt do të tentohet të dalë në votim në Kuvendin e Kosovës. Herët e kaluara, Projektligji nuk mori votat e nevojshme për miratim e disa herë nuk arriti as të vendoset në rend dite.