Rukiqi: Nëse mini-Schengeni promovohet si projekt politik, efektet ekonomike do jenë zero

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se Kosova në aspektin ekonomik nuk humb asgjë nga mini-Schengeni.

Ai thotë se mini-Schengeni mund t’i eleminojë problemet që Kosovës po i shkaktojnë vendet e tjera në aspektin ekonomik, por nëse ai nuk trajtohet nga ai politik, i cili sipas tij do të ngadalësojë efektet ekonomike për vendin.

“Me Kosovën nuk ka asnjë vend problem, as pritjen në kufi, as kalimin me leternjoftima, as barriera jo-tarifore e as ndonjë problem tjetër të natyrës së mospranimit të dokumentacionit. Ne kemi me tjerët dhe nëse mini-shengeni arrin me na i eleminu ne këto problem që i kemi me tjerët, sigurisht se mund të ketë efekt pozitiv. Por, nëse trajtohet vetëm si projekt politik nga BE-ja me e ngadalësu ritmin ose me e ulë apetitin e vendeve për anëtarësim në BE, ndërsa nga këto vende të rajonit tentohet me u promovu vetëm si projekt politik atëherë efektet ekonomike do jenë zero”, ka thënë ai në Interaktiv.

Reklama e sponzorizuar

Rukiqi thotë se ka tendencë që të krijohet pritje këtë proces për shkak të anës politike që ka marrë.

“Nëse shihet çfarë po ndodhë në BE ka një tendencë me u kriju kjo paradhoma, pritja, është mundu me u kriju me CEFTA, ajo nuk ka arritë me i zgjidhë të gjitha problemet tregtare, tash po tentohet me shku një shkallë më tutje, me kriju një treg të përbashkët rajonal që integrohet më lehtë në BE”, shton ai.

Rukiqi: Duhet të bëhet studimi i fizibilitetit, por jo të politizohet

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se duhet të bëhet studimi i fizibilitetit në Ujman, porse nuk duhet të politizohet.

“Studimi i fizibilitetit mund të thotë se ka arsyeshmëri, mund të thotë se s’ka arsyeshmëri ekonomike. Përderisa është si studim fizibiliteti nuk e shoh si problem por nëse tentohet që të ketë konotacion politik, gjithçka që politika përzihet në çështje puro ekonomike komerciale, nuk është ogur i mirë, nuk ka me dhënë rezultate pozitive. Prandaj shpresoj që nga qasja që do të jetë nga një departament që ka eksperiencë të jashtëzakonshme do të vjen një studim fizibiliteti profesional që do të na tregojë interesin komercial”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka shtuar se çështja e shfrytëzimit të këtyre burimeve natyrore është e rregulluar me konventa ndërkombëtare.

Sipas tij Serbia nuk ka të drejtë ta devijojë rrjedhën, pasi nëse duan të bëjnë dëm mund ta bëjnë këtë, por kjo është shkelje flagrante e të drejtave ndërkombëtare.

|Nuk shoh interes ekonomik të Serbisë me e shfrytëzuar Ujmanin në kuptim të involvimit në menaxhim brenda Kosovës, mirëpo aty mund të ketë vetëm interes politik. Nëse duam të kemi Ujman, e çfarëdo projekti tjetër infrastrukturor ekonomik i cili del i suksesshëm ne duhet me e pa nga aspekti komercial dhe ekonomik”, ka thënë Rukiqi.

Ai gjithashtu ka thënë se ndërhyrja politike ka dëmtuar shumë ndërmarrje të rëndësishme në Kosovë.

“Ne e kemi Trepçën që 20 vjet dhe nuk po dimë me e menaxhuar, e plot ndërmarrje të tjera në Kosovë për shkak të involvimit politik. Nëse tentohet edhe në këto që janë më të kontestueshme ndoshta ne nuk e humbin në kuptimin pronësor, por e humbin në aspektin ekonomik jo vetëm tani për tani, por e humbim pothuajse përgjithmonë. Prandaj është mirë që të lejohet të bëhet ai studim fizbiliteti, nuk ka të keq nga ky studim, mund të bëhen edhe për projekte të tjera dhe pastaj mund ta shohim se çfarë po del nga ajo”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi: Marrëveshja e arritur në Washington është e ndikuar politikisht, por Kosova përfiton

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Marrëveshja e arritur në Washington, ndonëse me sfond politik, i siguron përfitime të Kosovës.

“Marrëveshjet me Serbinë janë që të gjitha me sfond politik. Normalizim ekonomik, ky konsiderohet si normalizim i raporteve ekonomike, por nuk definon se cilat janë ato raporte ekonomike që po normalizohen”, ka thënë ai.

Si ka vazhduar Rukiqi, marrëveshja ka pasur “ambalazh” normalizimin ekonomik, përderisa brenda ka shumë çështje gjeopolitike dhe të politikës ndërkombëtare.

“Ajo se çka mund të konsiderohet se ndikon në raportet ekonomike Kosovë-Serbi është: 1. Pjesa e infrastrukturës, pra projektet infrastrukturore; 2. Përkrahja për sektorin privat; 3. Pjesa që lidhet me mini-Schengenin dhe 4. Pjesa që lidhet me pikën kufitare në Merdare”, ka sqaruar ai.

Sa i përket pikës së katërt, ai ka thënë se jo vetëm që lidhet me qarkullimin e njerëzve, lëvizjen e diasporës që e përdor shumë këtë pikë kufitare, por edhe me pjesën e kamionëve.

“E tërë kjo ide, edhe ajo e mini-Schengenit, kur shikohet nga aspekti tregtar dhe ai ekonomik, është që të ketë sa më pak pritje nëpër kufij. Pra kjo konsiderohet një prej atyre pikave që tentohet të shtyhet përpara”, ka thënë ai.

Rukiqi po ashtu ka shtuar se pjesë tjetër që lidhet me ekonominë është ajo e infrastrukturës, por, si ka bërë të ditur ai, këto nuk janë projekte që po futen për herë të parë në marrëveshje.

“Këto janë projekte që janë diskutuar për një kohë të gjatë. Vetë procesi i Berlinit tenton të sjellë në tavolinë dhe të gjejë mjete për fizibilitetin e pastaj edhe për implementimin e këtyre projekteve që i lidhin vendet e Ballkanit. Dhe, duke i lidhur mes vete, atyre pastaj iu krijohet mundësia për të qenë më tërheqëse për investim nga kompanitë e huaja, sidomos kompanitë evropiane dhe në të njëjtën kohë të lidhen me tregjet evropiane”, ka thënë ai.

Rukiqi, duke iu referuar diskutimit për hekurudhat ka thënë se tashmë ekziston një projekt i rëndësisë strategjike, me Shkupin.

“Tani po tentohet që i njëjti të vazhdojë në drejtim të veriut të Kosovës, e pastaj edhe për në Serbi. Pastaj diskutohet të lidhet Deti Adriatik me pjesën e Evropës Perëndimore, me pjesën tokësore ta them kushtimisht, me Budapestin”, ka thënë ai.

Rukiqi: Ka përfunduar ligji për Gjykatën Komerciale, së shpejti hyn për miratim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ka përfunduar ligji për Gjykatën Komerciale dhe se pret procedurën formale të miratimit të tij.

Rukiqi në Interaktiv të KTV-së e sheh gjë të mirë përkrahjen e subjekteve politike për krijimin e kësaj gjykate, për të cilën thotë se garanton sigurinë juridike për investitorët.

“Ligji është përfundu, kemi qenë pjesë e draftimit të ligjit dhe besoj se shpejt hyn në procedura formale të miratimit. Është e mirë që çdo parti politike në Kosovë e ka përkrahë krijimin e Gjykatës Komerciale, ka diskutime në mesin e komunitetit të juristëve por nga perspektiva jonë duke e pa mesataren e kohëzgjatjes së një rasti komercial, konsiderojmë të nevojshme që të krijohet ky mekanizëm dhe shpresojmë të jetë shumë më efikas dhe një arsye shtesë që të themi se e kemi rregullu pjesën e garantimit të sigurisë juridike edhe për investitorët tanë dhe të huaj”.

Rukiqi ka thënë se synohet të ketë ndryshim në praktikë me këtë gjykatë, ashtu që ekspertët e rekrutuar aty “të përcjellin rastet dhe të jenë impuls pozitiv në funksionimin e Gjykatës Komerciale”.

“Ka një qasje të tillë që të shkohet me një konturë tjetër që garanton që kjo gjykatë të jetë efikase. Këtu e kam fjalën për në pjesën e administratës apo stafit civil, të jetë një lloj modeli”, ka thënë ai.