Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përfshirjen e edukimit financiar në kurrikulën shkollore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë në një konferencë me rastin e shpalosjes së koleksionit të Librave të Edukimit Financiar për nxënësit e klasave 1-5 të arsimit fillor.
Me këtë rast, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se janë të angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe se sektori financiar është një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës.
“Projekti i koleksionit të pesë librave, projekt i Bankës Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe i përkrahur nga Departamenti për Zhvillim i Fondit Evropian për Evropën Juglindore, ka për qëllim që të pajisë nxënësit e shkollave fillore me koncepte bazike financiare, të cilat do t’i përcjellin gjatë tërë jetës së tyre pa marrë parasysh profesionin që ata do ta përzgjedhin në të ardhmen. Tekstet janë përgatitur nga ekspertë përkatës të fushës, tekstshkrues dhe ilustrator, në pajtueshmëri me kurrikulën bërthamë për arsimin fillor të Kosovës”, deklaroi Mehmeti.
Sipas tij, librat do të shpërndahen në formë fizike nëpër shkollat fillore të të gjitha komunave të Kosovës, në formë elektronike përmes kanaleve të komunikimit të BQK-së dhe me Shoqatën/Shkollën e të Verbërve të Kosovës.
“Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulë shkollore është mënyra më efikase, e qëndrueshme dhe afatgjatë për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare të mësohen e zhvillohen në mënyrë të duhur dhe nga të gjitha gjeneratat në nivel vendi. Nxënësit e Kosovës sikurse edhe nxënësit e të gjitha vendeve tjera të botës tashmë janë pjesë e vlerësimeve të realizuara nga Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në kuadër të PISA-s, e ku si kapitull i veçantë bën pjesë edhe vlerësimi i njohurive në fushën e edukimit financiar”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se edukimi financiar i nxënësve të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është e interesuar që të ngritë nivelin arsimor sa i përket edukimit financiar dhe konsiderojmë shumë të rëndësishëm që të procedojmë tutje, në këtë aspekt që fëmijët të mund të marrin njohuri dhe të përgatiten dhe të kenë vetëdijesim se si duhet shpenzuar dhe menaxhuar paranë. Nxënësve do t’i shpërndahen libra në këtë vit nga klasa 1-5 në tërë territorin e Kosovës mbi 900 shkolla dhe përveç gjuhës shqipe tekstet do të jenë dhe në gjuhë të komuniteteve, tekstet janë në përputhje me kurrikulat e sistemit tonë arsimor dhe janë të përgatitura nga njohës të fushave, andaj Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të jetë përherë në kontakt me shkollat dhe Drejtoritë Komunale te Arsimit që t’i marrim rezultatet se si do të ndikojnë këto tekste te nxënësit tonë”, theksoi ministri Likaj.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të EFSE, Christoph Tiskens në fjalën e tij hapëse shprehu gatishmërinë për të punuar në projektet e ardhshme.
“Është një nder që Ministria e Arsimit e njeh këtë punë me nënshkrimin e sotëm. Kjo tregon vlerën që Ministria i kushton edukimit financiar si mjet themelor për sukses në të ardhmen. EFSE qëndron së bashku me partnerë si, Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Arsimit për të bërë një ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e sotëm dhe për brezin e ardhshëm të qytetarëve”, deklaroi Tiskens.
Objektivë e Programit të Edukimit Financiar të BQK-se është që me aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.