Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj së bashku me homologun nga Kosova Skënder Reçica kanë rënë dakord për një marrëveshje për punësimin dhe arsimin, e cila do të sjellë lehtësime dhe përfitime për qytetarët e dy vendeve.
Marrëveshja pritet të miratohet në mbledhjen e dy qeverive të parashikuar këtë muaj.
“Duhet të formalizojmë tregun e punës. Neve na kërkohet që të kemi rezultate deri në fund të muajit dhe mbetem besim-plotë se do ia dalim të kemi sukses. Ne së bashku do të shohim si negociatat përkthehen në shifra, por jemi të bindur se do të arrijmë një marrëveshje. Varet nga numri i personave dhe buxhetet, por vendet i njohin vitet e punës, kudo ku kanë punuar. Nëse vjen një punonjës nga Kosova, s’përfiton në vetëm ato 5 vite, por për kontributet. Duhet parë si do të realizohet nga ana ligjore,”-tha Denaj.
“U dakordësuam për një marrëveshje për punësim dhe arsim profesional. Kjo do të unifikojë tregun e punës në një farë mënyrë. Ekipet profesionale pas dakordësimit të marrëveshjes dhe pas firmosjes në mbledhjen e dy qeverive do të sjellë përfitime për qytetarët këtej dhe andej. Ata s’do të kenë më vështirësi në banim. Ka barriera në lejen e punës dhe në lejen e qëndrimit. Jetësimi i kësaj marrëveshje afron Kosovën dhe Shqipërinë edhe më afër BE.
Kjo bën që ne të jemi më pranë njëri tjetrit si vende. Edhe marrëveshja për sigurmet sociale, që qytetarët të gëzojnë një pension të denjë”, tha Reçica.