Ditëve të fundit është bërë bujë e madhe në lidhje me mundësinë e tërheqjes së 10 përqindëshit të kursimeve të qytetarëve, mundësi kjo e paralajmëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Por, sipas kalkulimeve të disa ekspertëve të fushës, gjysma e kontributdhënësve kosovarë do të mund t’i tërheqin vetëm nga 31 euro nga kursimet e tyre.
Njëri prej njohësve të ekonomisë në vend, Agron Demi, ka thënë se edhe gjysmën e kësaj shume që mund ta tërheqin qytetarët nga kursimet t tyre, me siguri do ta përbijnë bankat kosovare në emër të mirëmbajtjes së llogarive.
Madje, ai ka qortuar edhe deputetët e Kuvendit, duke iu thënë se sjellja e tyre ndaj qytetarëve me mosvotimin e djeshëm të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike është ‘sjellje prej sadistësh’.
Sipas tij, ka shumë punëtorë që ende s’i kanë marrë as 170 eurot e premtuara si ndihmë nga Pakoja Emergjente. Në anën tjetër, Demi ka pasqyruar edhe lluksin e ministrave dhe deputetëve, me dreka e darka me mijëra euro, pushime në det e udhëtime, përkundër ankthit të vazhdueshëm të qytetarëve se kur do të kenë mundësi t’i tërheqin 31 euro nga Trusti.
“Në anën tjetër, 42.5 euro mesatarisht në dit shpenzon një zëvendëskryeministër vetëm për dreka zyrtare. E 11.748 euro ka kushtu vetëm një biletë aeroplani”, është shprehur Demi.
“Para disa ditësh deri sa po i preja flokët, e pyeta pronarin e lokalit nëse ka përfitu nga Pakoja për pagesën e qerasë së lokalit. “Shyqyr që nuk mbaj shpresa në shtet, se isha tranu” – tha. E po që ka plotë të tillë që shpresat i kanë bazu të shteti, e dojnë me u tranu nga papërgjegjshmëria e grykësve”, vazhdon postimi i tij. /Buletini Ekonomik/