Jo vetëm fëmijët, edhe çiftet kanë vuajtur gjatë lockdown. Në Kinë, për shembull, është rritur numri i ndarjeve dhe divorceve. Por me rihapjen graduale të vendeve dhe ekonomive, jo vetëm të vegjlit, por edhe të rriturit, në disa raste, janë përballur me vështirësi në rikthimin drejt jetës normale, atë që kishin para lockdown.
Të mësuar 24 orë në 24 me njëri-tjetrin, ka nga ata që me rikthimin në punë dhe ritmeve normale të jetës, ndiejnë nostalgji për partnerin.
“Është e vështirë të bësh përgjithësime – thotë Valentina Di Mattei, profesore e asociuar në psikologji në Universitetin Vita-Salute San Raffaele në Milano dhe psikologe klinike në IRCCS Ospedale San Raffaele të Milanos. Ende nuk ka një literaturë shkencore për këtë dhe gjithçka dimë, e nxjerrim nga vëzhgimi klinik i pacientëve dhe se si njerëzit janë sjellë në nivel të përgjithshëm në këtë situatë.
Në marrëdhënien në çift, në disa raste, kalimi i kaq shumë kohe së bashku ishte një mundësi e mirë për t’u njohur më mirë, për të kuptuar angazhimin në punë të partnerit dhe për të ndarë përgjegjësitë brenda familjes. Por jo për të gjithë ka qenë e thjeshtë. Ashtu si fëmijët, edhe shumë të rritur kanë vuajtur në këtë situatë”.
Cili është ndikimi i përgjithshëm që ka pasur smartworking në jetën në çift?
Nuk është momenti i duhur për të dhënë një mendim përfundimtar mbi ndikimin psikologjik të smartworking në jetën e njerëzve. Konteksti ishte shumë i veçantë, jashtë shtëpisë situata ishte dramatike dhe stresuese. Njerëzit papritur e gjetën veten në këtë gjendje pune, pa përvojë në aspekte teknike dhe sociale, se si të menaxhonin punën në një kontekst të kontaminuar nga shumë faktorë të tjerë.
Nga një anë, ishte një burim i madh stresi, por për shumë edhe një mënyrë për të parë njëri-tjetrin në punë, se sa të angazhuar janë. Më pas lindën dhe probleme të tjera. Në shumë familje, me fëmijë, kujdesi për fëmijët iu besua kryesisht nënave. Një tjetër problem, rishpërndarja e punëve të shtëpisë. Kjo ishte diçka e re për shumë baballarë.
A ka pasoja në marrëdhënien në çift, ndarja jo vetëm e jetës personale por edhe ajo profesionale?
Ky ishte një zbulim reciprok, jo vetëm për meshkujt. Edhe shumë femra, panë nga afër angazhimin e partnerëve të tyre në punë, tipologjinë e punës, ngarkesën. Fakti që ata e gjetën veten në një situatë të re, ndonjëherë edhe për herë të parë, duke kaluar shumë kohë, ka ndikuar në marrëdhënien në çift.
Ka shumë aspekte për t’u marrë në konsideratë, çdo çift ka pikat e dobëta, të cilave, në këtë rast iu shtuan edhe lloje të ndryshme stresi të lidhura me situatën jashtë: aspekte konkrete, se si të jetosh në mjedise të vogla, mjedise që nxisin konfliktet, mundësinë ose jo për të qëndruar në hapësira të jashtme, prania e situatave problematike në lidhje me punën, prania e ndonjë të sëmuri në familje. Varet se si çiftet kanë hyrë në këtë moment. Kjo varet edhe nga personaliteti i njerëzve.
Ka disa studime mbi lockdown nga epidemi të mëparshme – popullsia më e rrezikuar është ajo më e ndjeshme nga pikëpamja mendore. Ka nga ata që kanë vuajtur pas lockdown dhe të tjerë që kanë përfituar prej kësaj situata.
Ka nga ata që me përfundimin e smartworking ndiejnë mungesën e partnerit…
Nga pikëpamja psikologjike ishte një moment regresiv, një largim nga realiteti i jashtëm dhe një qasje drejt aspekteve më intime. Ishin dy faza. Në fillim ishte ankesa e qëndrimit gjithë kohës me partnerin, pastaj me kalimin e kohës, ka nga ata që janë ulur në këtë realitet të kufizuar, të mbrojtur e të sigurt. Ata që janë më introvertë, me pak marrëdhënie, ndihen mirë në një dinamikë të kësaj natyre. Ekstrovertët, në anën tjetër, kanë vuajtur më shumë. Ka disa studime për këtë: ata që kanë prirje drejt introversionit, jo vetëm që e kanë përjetuar më mirë këtë periudhë, por edhe e kanë vlerësuar.
Pra jo vetëm fëmijët, por edhe të rritur janë të rrezikuar nga lockdown?
Te fëmijët dhe te dinamikat e funksionimit mendor të një fëmije, lëvizjet e regresionit janë fiziologjike. Fëmijët janë më elastikë, në përgjithësi bëjnë një hap pas kur e shohin veten në një situatë stresuese. Te të rriturit, megjithatë, është më pak fiziologjik, është një funksionim mendor më tipik i sëmundjes. Ky mekanizëm regresioni manifestohet, për shembull, në të qenët gjithmonë me pizhame, në shtrat, duke u kujdesur nga pjesëtarët e familjes. Ka nga ata që pas një kohe “kënaqen” me kthimin në një situatë të varësisë, mungesës së përgjegjësisë.
Kthehemi tek rrjedha “normale” te një çift. Në një artikull, New York Times flet për nostalgji edhe gjatë lockdown. Ndarja e gjithë kësaj kohe bashkë largoi temat nga biseda, entuziazmin për planifikimin e udhëtimeve…
Një ndër problemet kryesore nga pikëpamja emocionale është mungesa e cilësisë. Shumë çifte kanë qenë gjithnjë bashkë, e të tjera, gjithnjë të ndara në dhoma të veçantë. Problemi i zakonshëm është gjetja e një ekuilibri në të qëndruarit bashkë si çift dhe të pasurit e hapësirat e të veçanta që pasurojnë marrëdhënien në çift.
Ka dhe nga ata që gjatë lockdown kanë jetuar të ndarë, në shtëpi të ndryshme, për arsye të ndryshme. Dhe kjo, në njëfarë mënyre, ka shërbyer si stimul. Kam dyshime për ata që kanë filluar bashkëjetesën pikërisht gjatë lockdown. Ndoshta në fillim, nga dëshira për të qëndruar së bashku, mund të ketë funksionuar, por rreziku për t’u ndarë në këtë rast ka qenë shumë i lartë
Në fazën e tretë, çfarë duhet të bëjnë çiftet për t’u ndier mirë, për t’iu kthyer më shpejt realitetit?
Mendja jonë ka një aftësi të madhe për t’iu përshtatur realitetit dhe situatave me elasticitet. Sa më shumë rikthimi të jetë gradual, më e lehtë do të jetë përshtatja dhe rikthimi drejt ekuilibrave, të cilat nuk do të jenë saktësisht si më parë. Sigurisht, mes çifteve, do të kenë ndodhur shumë gjëra, si pozitive edhe negative. Ky mund të jetë rasti për të kërkuar një ndihmë të specializuar, si çift te psikologu.
Burimi: Huffington Post