Berat Thaqi nga Instituti GAP vlerëson se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike nuk është i vetmi element që i duhet Kosovës gjatë pandemisë.
Ai tha se edhe rishikimi i Buxhetit e marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e masave ligjore që duhet të votohen në Kuvendin e Kosovës që të përfundojë plani për rishikimin e krizës me pandeminë COVID-19.
Ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ende nuk janë votuar.
“Të hyrat buxhetore do të bien gjatë këtij viti”, tha ai në Express Intervistën në KTV.
Çdo vonesë e mosvotimit të këtyre ligjeve, sipas Thaqit, shkakton vetëm dëme.
Për sa i përket tërheqjes së 10 përqindëshit nga TRUST-i, sipas Thaqit, shumica që kanë kontribuar do të marrin vetëm nga 31 euro.
“Gjatë analizës tonë (GAP-it), shumica që kanë kontribute në TRUST, në vlerën që mund të tërheqin është e vogël. Shumica e kontributdhënësve do të marrin vetëm nga 31 euro, si individ. Kjo për shkak se një pjesë e madhe ekonomisë së Kosovës funksionon në rrafshin formal. Por edhe për shkak të pagave të ulëta”, theksoi ai, duke shtuar se 10% është shifër shumë e vogël.
Thaçi tha se gjatë pandemisë, sektori i gastronomisë ka qenë më i godituri. Nga të dhënat e ATK-së, sipas tij, ka rënë për 30 për qind funksionimi i gastronomisë dhe shumë punëtorë kanë mbetur pa punë.
Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, sipas Thaqit, është e nevojshme për të gjitha bizneset që janë goditur.