Top menaxherët me pagat më të larta në Trust

10 zyrtarët kryesorë që menaxhojnë kursimet e qytetarëve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, llogariten ndër zyrtarët më të paguar në vend. Pagat e tyre në disa raste shkojnë edhe mbi 4 mijë euro.

Buletini Ekonomik ka analizuar deklarimet e pasurisë në këtë institucion.

I pari i Trustit, Adrian Zalli, duke mbajtur edhe pozitën më të rëndësishme brenda këtij institucioni të pavarur, në cilësinë e drejtorit menaxhues merr gjithsej pagë mujore prej 4 mijë e 142 eurove, kurse paga vjetore e tij arrin shumën prej 49 mijë e 708 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Pas Zallit, vjen menjëherë edhe zëvendësi i tij, Agron Krasniqi, i cili nga Trusti mbledh 36 mijë e 370 euro në vit, derisa paga e tij mujore arrin në 3 mijë e 30 euro.

Bordi i Trustit përbëhet prej kryetarit dhe 5 anëtarëve të tjerë. Secili prej tyre po ashtu merr pagë të majme nga ky institucion. Kryetari i Bordit, Ruzhdi Morina në deklarimin e pasurisë për vitin 2020 ka deklaruar të hyra vjetore shumën prej 16 mijë e 53 euro, por me nënvizimin si kompenzime vjetore dhe mëditje nga ana e Trustit. Përveç kësaj page në Trust, ai merr gjithashtu edhe 8 mijë e 739 euro nga ndërmarrja publike “Infrakos sh.a” në cilësinë e udhëheqësit të Zyrës ligjore.

Ymer Ymeri, anëtar i Bordit në Trust, përfiton gjithsej nga 1 mijë e 161 euro në muaj, kurse paga vjetore e tij po nga Trusti arrin vlerën e 13 mijë e 932 eurove. Por, kjo nuk është puna  e vetme e tij nëpër institucionet e Kosovës. Ai gjithashtu merr pagë prej 997 eurove në muaj nga SBASHKU, si Menaxher për Financa e Administratë, si dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me dy pozita, me rreth 300 euro.

Valdrin Kasumaj, po ashtu anëtar i Bordit në Trust, ka deklaruar të hyra vjetore në vlerë të 16 mijë e 211 eurove si kompenzim vjetor. Edhe Kasumaj gjithashtu ka një pozitë menaxheriale edhe në ndërmarrjen e hekurudhave të Kosovës “Infrakos Sh.a”, ku paga e tij vjetore arrin në 9 mijë e 289 euro, dhe udhëheq me Zyrën për Planifikim dhe Zhvillim brenda saj.

Hajdar Korbi ai anëtar po ashtu merr 15 mijë e 440 në si pagë vjetore nga Trusti, Driton Qehaja me 15 mijë e 384 euro në vit, kurse Auditori i brendshëm ka deklaruar 17 mijë e 43 euro si të hyra neto vjetore.

Ndërkaq, anëtari i fundit i Bordit, Behxhet Haliti ka të deklaruara 16 mijë e 65 euro në vit si të hyra nga Trusti, si dhe 7 mijë e 432 euro të tjera që merr nga Ministria e Financave, për dy funksionet e tij si Analist i lartë në MF dhe si Ushtrues Detyre i pozitës Drejtor Departamenti Pol.Marketing po ashtu në MF.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e institucioneve të pavarura në vend kanë pozita tjera edhe nëpër institucionet tjera shtetërore. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/