Ujmani, damari jetik

Me marrëveshjen e nënshkruar dje në Washington Serbia është bërë hisedare në Liqenin e Ujmanit, kjo pasi Kosova është pajtuar për përdorim të përbashkët të tij.

“Të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energji, për studim fizibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji”, thuhet në njërën nga pikat e marrëveshjes së djeshme.

Por, çfarë në të vërtetë do të thotë kjo marrëveshje për Kosovën. Për ta treguar këtë iu sjellim artikullin “Ujmani, damari jetik” të botuar në Koha Ditore më 30 shtator 2018, të cilin mund ta lexoni të plotë në vijim.

Reklama e sponzorizuar

Ujmani, damari jetik

Paqja në rajon ka rrezik që të “fundoset” në liqenin më të madh artificial të Kosovës – Ujman.

Damari kryesor i ujit për Kosovën është bërë pjesë e diskursit të politikanëve shqiptarë e serbë, që flasin për ndryshim kufijsh e shkëmbim territori.

Përpos për prodhimin e 30 megavateve të energjisë elektrike, Ujmani furnizon me ujë disa komuna dhe është kyç në funksionimin e industrisë së rëndë. Nga Mitrovica deri në Obiliq është i ndërtuar hidrosistemi që me ujin e Ujmanit ushqen tokat bujqësore në veriperëndim të Kosovës.

Për Ujmanin nuk flitej shumë derisa Serbia nuk shfaqi hapur pretendimet për hise në këtë resurs. Si argument po e përdor faktin se liqeni gjeografikisht kalon nëpër territorin, të cilin Prishtina zyrtare nuk ka arritur ta fusë plotësisht nën kontroll.

Për pasojë, edhe çezmën e Ujmanit e mbajnë veriorët, të cilët vendosin se sa ujë nga liqeni do t`i japin Prishtinës. Caku final i tyre është futja e Ujmanit nën ombrellën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mekanizëm ky që është në rrugë për t’u themeluar.

Rëndësia strategjike

Pamja panoramike në mes të maleve të Rogoznës e bën Ujmanin njërin nga atraksionet më të bukura në Kosovë. Pika kontrolluese e KFOR-it, e cila ka qenë e vendosur në fshatin Çabër, që banohet nga shqiptarët, është vija ndarëse me komunën e Zubin-Potokut, e cila çon për tek Liqeni i Ujmanit.

Rruga përgjatë së cilës shtrihet pellgu i mbushur me ujë plot, të shoqëron me flamuj dhe simbole të Serbisë. Rrugës shihen vetëm makina me targa të Serbisë apo të tilla pa targa fare. Përskaj rrugëve kanë mbetur ende posterët e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili së fundi defiloi nëpër zonat e banuara me serbë.

Nuk mungojnë as plazhet në liqen, të cilat në fundshtator, kur ekipi i gazetës vizitoi Ujmanin, ishin të zbrazura. Përveç bukurisë së tij, liqeni konsiderohet ndër asetet me rëndësi strategjike nga e cila varet ekonomia e vendit. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984 dhe ka një sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Uji nga ky liqen artificial përdoret për ftohje të termocentraleve në Obiliq.

Në rast të thatësisë, sikurse ajo e vitit 2014, nëpërmjet Ujmanit mbushen liqenet e Batllavës dhe Badovcit. Sipas ekspertëve të ujërave, vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike pa ujin e Ujmanit. Gjysma e rrymës në veri të Kosovës prodhohet në atë vend, derisa nga liqeni akumulues me ujë furnizohet një pjesë e madhe e Kosovës. Ne rast të ndërprerjes së ujit, i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet elektrike, vendi do të përballej në katastrofë. Pa Ujmanin nuk mund të ndërtohet as termocentrali “Kosova e Re”.

Marrëveshja Kosovë-Serbi në shqip (DOKUMENT)

Komunat që marrin ujë nga ky liqen janë: Mitrovica, Vushtrria, Drenasi, Skenderaj, Obiliqi, Fushë-Kosova. Ndërkaq rreth 40 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga Ujmani, përmes Fabrikës së Ujit në Shkabaj. Pa Ujmanin nuk mund të operojë as “Ferronikeli” në Drenas. Uji i Ujmanit, përveçse shfrytëzohet për pije, ujit edhe 20 mijë hektarë tokë bujqësore. Sasia e ujit në këtë liqen është pakrahasimisht më e madhe se në të gjitha liqenet e tjera artificiale në Kosovë. Liqeni artificial, 85 për qind e të cilit gjendet në Kosovë, grumbullon 390-410 milionë ujë për metër kub.

Image

Beteja për Ujmanin

Beteja për këtë liqen, i cili ndryshe njihet edhe si Gazivodë, po vazhdon edhe më tej ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa Kosova konsideron se i tërë liqeni, një pjesë e të cilit gjendet në Novi-Pazar, është në pronësi të saj, Serbia po bën përpjekje që liqenin dhe hidrocentralet e Gazivodës t’i fusë nën kontrollin e Asociacionit të komunave serbe. Rrjedhimisht kjo do të bënte që arkëtimet nga uji dhe rryma të derdheshin në Asociacion. Edhe në takimet e fundit të Ekipit Menaxhues për draftimin e statutit, ekzistenca e Asociacionit është ndërlidhur me Gazivodën.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht janë shprehur se Ujmani është pasuri e Kosovës dhe për të nuk do të pranojnë të diskutohet në negociata. Afrim Lajqi është këshilltar në Këshillin Ndërministror të Qeverisë e Kosovës. Sipas tij, shteti i Kosovës defunksionalizohet pa Liqenin e Ujmanit. Ai mohon që deri më tani të jetë vënë në diskutim çështja e Ujmanit.

“Ky është resurs i Kosovës për të cilin as që duhet të vihet në negociata politike me Serbinë”, ka thënë Lajqi. Ai e pranon se problem paraqet fakti që në veri ka mungesë të juridiksionit të shtetit të Kosovës, “megjithatë punëtorët i raportojnë ndërmarrjes së Ibër-Lepencit”.

Aktualisht liqeni ruhet nga KFOR-i. Shumica e punëtorëve në Hidrocentralin e Ujmanit janë serbë, të cilët i raportojnë ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”. Ligji për ndërmarrjet publike e përcakton se Qeveria e Kosovës është pronare e aseteve të të gjitha ndërmarrjeve publike, ku hyn edhe “IbërLepenci”.

Serbët që menaxhojnë Hidrocentralin e Ujmanit zgjidhen dhe i raportojnë menaxhmentit në Prishtinë. Më herët ka pasur përpjekje që në krye të Hidrocentralit të vendoset menaxhment paralel. Disa ditë ishte ndërprerë puna në Hidrocentral, në vitin 2015, për shkak të tentimit që të merret kontrolli në këtë aset.

E veprimi jashtë sistemit energjetik të Kosovës të pendës së Gazivodës i ka shkaktuar dëme të mëdha buxhetit. Shpesh është rrezikuar edhe tërë sistemi energjetik i Kosovës si pasojë e mosrespektimit të instruksioneve të Distribucionit të Kosovës. Operatorët e stacionit Vallaç në të kaluarën kanë shkëputur në mënyrë të paligjshme sistemin dhe e kanë lidhur me largpërçuesin e Novi-Pazarit në Serbi. Nga ky resurs i Kosovës, Serbia vazhdon të vjelë me miliona të ardhura. Llogaritet se çdo vit serbët inkasojnë 6 deri 7 milionë euro.

Por, sipas marrëveshjes për energjinë, është KOSTT-i ai që vendos nën kontroll nënstacionin e Vallaçit në pjesën veriore, praktikisht dhe në tërë sistemin e transmisionit. Ndërkaq ndërhyrja ilegale e operatorëve serbë në pjesën veriore, sipas marrëveshjes, duhet të pushojë duke përfshirë kontrollin dispeçerik të hidrocentralit Ujmani dhe importin në linjën 110 kilovoltëshe (kV) nga Novi-Pazari.

KOSTT-i do të mundë të arkëtonte të hyra nga energjia e transituar për vende të treta meqë me firmosjen e marrëveshjes ky institucion bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian. Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara, këto të hyra mund të arrijnë 1 milion e 500 mijë deri në 2 milionë.

Shteti i Kosovës për vite të tëra ka toleruar dhe heshtur dallaveret me energjinë elektrike në veriun e populluar me shumicë serbe. Pafuqinë e vet për ta vërë nën kontroll sistemin energjetik në veri Qeveria ua ka “faturuar” qytetarëve në jug. Çdo vit qytetarët kanë paguar mbi tetë milionë euro për energjinë e harxhuar nga veriorët. Për energjinë që Kosova ka prodhuar, milionat vazhdon t’i inkasojë Serbia në mënyrë selektive. Institucionet lokale, korporatat e bizneset janë ato të cilave Serbia ua mbledh paratë për energjinë e shpenzuar.

Ndërkaq shumica e konsumatorëve individualë nuk kanë paguar asnjëherë fatura. Kosova ka pranuar ta lejojë Elektro-Ekonominë e Serbisë (EPS) të krijojë kompani të saj për furnizim në Kosovë. Marrëveshja parasheh që të jetë vetë EPS-ja ajo që dorëzon dokumentet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nëpërmjet të cilit aplikohet për regjistrim.

Madje me marrëveshje është precizuar edhe emri i kësaj kompanie – “ElektroSever”. Por aplikimi për regjistrim i kësaj kompanie është refuzuar disa herë, për shkak të shpërfilljes së ligjeve të Kosovës.

Investimet pa leje të Serbisë

Eksperti Avdi Gjonbalaj ka qenë ishfunksionar i lartë në kohën kur është ndërtuar Liqeni i Ujmanit. Ai ka treguar për veprimet që po ndërmarrin tani serbët e veriut, të financuar nga Beogradi, për të krijuar pretekst që ta “okupojnë” Ujmanin.

Ka përmendur krijimin e ndërmarrjes publike në Zubin-Potok në vitin 2002, veprim ky që është heshtur nga institucionet e Kosovës. Po ashtu, Qeveria e Serbisë i ka ndarë 6 milionë euro për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit, Zveçan-MitrovicëZubin Potok-Ujman.

“Pra, mund ta merrni me mend se ku do ta marrin ujin – do ta marrin në shkarkuesin fundor, që teknikisht është e pamundur të ndodhë. Pra, qëllimi i tyre është me u shkëput prej sistemit të Kosovës edhe të thonë se nuk jemi të varur, se e menaxhojnë vetë sistemin, duke e shfrytëzuar Gazivodën”, ka thënë Gjonbalaj, në intervistën dhënë “Kohës Ditore”.

Ndërkaq në hyrje të liqenit është ndërtuar objekti për mbrojtjen dhe monitorimin e ujit, edukim dhe aktivitete humanitare, me objektin përcjellës dhe rregullimin e jashtëm të terrenit në komunën e Zubin-Potokut. Sipas tabelës shpjeguese, në krye të së cilës shkruan “Republika e Serbisë”, investitor është Komuna e Zubin-Potokut ndërkaq ekzekutues i projektit kompania “Radujka Invest”, Beograd.

Serbia po mundohet ta paraqesë Gazivodën si të veten, edhe nëpërmjet propagandës mediatike. I tillë është projekti filmik serbo-rus, nëpërmjet të cilit pretendohet se me ndërtimin e Liqenit të Gazivodës është “mbytur trashëgimia kulturore serbe”.

Për t’ua dëshmuar të kundërtën, Gjonbalaj thotë se i kanë faktet e mbështetura në dokumente të shkruara për hulumtimet arkeologjike, të cilat janë kryer në vitin 1977. Deri më tani Kosova ka refuzuar të bisedojë për Liqenin e Ujmanit me Serbinë, proces ky që është zhvilluar me ndërmjetësimin e Brukselit. Çështja se kujt do t’i takojnë trafostacioni Vallaç, penda dhe liqeni i Gazivodës te Zubin- Potoku në veri, patën shkaktuar ngërç edhe në bisedimet për energji në Bruksel.

Qysh në vitin 2013 ish-kryeministri serb, Ivica Daçiq, në takim me homologun Hashim Thaçi kishte tentuar ta ngrinte këtë temë në kuadër të dialogut. Por ishte lënë për më vonë për shkak të problemeve rreth pronësisë. Kjo çështje është rikthyer sërish në agjendën e Qeverisë së Serbisë.

Madje së fundi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mbajti fjalim mbi pendën e Liqenit të Ujmanit, duke shfaqur hapur pretendimet për të marrë hisenë në këtë resurs. Vizita e tij u bë me lejen e institucioneve të Prishtinës zyrtare. Prej aty Vuçiqi ka thënë se Gazivoda flet për betejat e rënda që i kanë serbët me shqiptarët.

“Por shpresoj që do të merremi vesh për shfrytëzimin e ujit”, ka thënë Vuçiqi.

Një pikë detyruese për Serbinë figuron në Kapitullin 35 për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ky është dokumenti i vetëm zyrtar që flet për Ujmanin.

Në pikën për energjetikën, prej Serbisë kërkohet “zgjidhja e çështjes së menaxhmentit në hidrosistemin Ujman (Gazivoda)”.

Vizita e Vuçiqit, erdhi pak javë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Kjo po shihet si eufemizëm për shkëmbim të territoreve.

Thaçi, i cili u imponua si prijës në dialog, pa mandat nga Kuvendi, në disa raste ka përmendur kompromiset e dhimbshme, por pa treguar se cilat janë ato. Gazeta ka shkruar se opsioni është që komuna më veriore e Kosovës- Leposaviqi, bashkë me Leshakun të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit.

Komuna e Leposaviqit popullohet me shumicë serbe dhe ka 75 vendbanime. Edhe Leshaku është një vendbanim i qytetit të Leposaviqit në veri të Kosovës që ka popullsi me shumicë serbe etnike prej më shumë se 2 mijë banorësh.

Burime të afërta me këto bisedime i kanë thënë gazetës se pjesë e marrëveshjes mendohet të jetë edhe Liqeni i Gazivodës, përkatësisht gjetja e një zgjidhjeje bazuar në traktatet ndërkombëtare për ujërat.

“Por kjo është pika ku pritet të ketë përplasje mes palëve, për shkak të pretendimeve të serbëve se kanë pronësi mbi Gazivodën”, ka thënë burimi. Meqë ky liqen kalon nëpër Zubin-Potok, në shkëmbim mund të futet edhe një pjesë e kësaj komune, gjithashtu e populluar me shumicë serbe. Në paraqitjet e shpeshtuara nëpër konferenca, presidenti Thaçi ka përjashtuar mundësinë që me Serbinë të diskutohet për Ujmanin.

Por një pjesë të veriut të Kosovës Thaçi po e quan “dhuratë” të Rankoviqit. Presidenca nuk ka treguar se sa sipërfaqe territor përmban kjo “dhuratë”, por, sipas kreut të shtetit, bëhet fjalë për “një pjesë të Leposaviqit, Leshakun dhe një pjesë të Zubin-Potokut”.

Pas disa riorganizimeve të pushtetit lokal dhe shuarjes të pesë qarqeve që kishte Kosova, më 22 dhjetor 1960, Këshilli i “Rrethit Autonom të Kosovë e Metohisë”, pati vendosur që të kishte 28 komuna. Me pëlqimin e pushtetit të Serbisë, 27 komunave që kishte, Kosovës iu bashkëngjit edhe Komuna e Leposaviqit, që deri atëherë ishte në “Qarkun e Rashkës”.

Ish-kryetari i Lidhjes Komuniste për Kosovë, Azem Vllasi, ka treguar për gazetën arsyet e ndryshimit të kufijve atëkohë. “Arsyeja ishte: gravitimi i territorit të regjionit të Mitrovicës dhe mundësitë më të mëdha për punësim dhe jetë më të mirë, ngase me resurset e minierave dhe metalurgjisë, që do të thotë me resurset e “Trepçës” mundësitë për punësim të njerëzve dhe një jete më të mirë ishin më të mëdha”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, Komuna e Leposaviqit kishte Leshakun dhe Ibarska Sllatina, si vendbanime me goxha banorë dhe disa fshatra të vogla, si dhe një majë malore rrëzë Kopaonikut që quhet “Panqiqev vrh” (Maja e Panqiqit).

“Përveç Minierës së Stantërgut, kompleksi i “Trepçës“ kishte edhe minierën “Bello Bërdo” (që ka edhe sot), që gjendet në territorin e Komunës së Leposaviqit, ndërsa shkritorja ishte (sikur edhe sot) në Zveçan”, ka potencuar avokati Vllasi.

Kuvendi i Kosovës deri tani ka dështuar të miratojë një dokument, i cili nuk do të lejonte që territori dhe pasuritë e Kosovës të viheshin në pazar. Anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Hykmete Bajrami, thotë se për Ujmanin nuk është diskutuar asnjëherë në Kuvend. “Ujmani paraqet resursin më të rëndësishëm që ka Kosova.

Kjo temë asnjëherë nuk është dashur të hapej nga pala kosovare. Sigurisht që Serbia ka gatishmëri gjithmonë për të vërë nën kontroll Kosovën dhe pasuritë e saj”, ka thënë deputetja e LDK-së. Sipas saj, janë aventurat e presidentit Thaçi që e rrezikojnë të ardhmen e vendit, jo vetëm resurset e tij. Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se presidenti ka bërë hapa mbrapa në konsolidimin e shtetit të Kosovës, “dhe kjo ka pasoja të parikuperueshme”.

“Ne jemi kundër lëvizjes së kufijve, ndërsa ka mijëra argumente që të mos luhet me kufijtë – Pavarësia, Pakoja e Ahtisaarit, 114 njohje, opinioni i GJND-së dhe interesi mbarëshqiptar”, ka thënë ajo.

Image

Aktualisht Liqeni i Ujmanit ruhet nga KFOR-i (Foto: Alban Bujari / KOHA)Pronësia e pretenduar

Ata që e njohin Gazivodën thonë se pala kosovare është strukur dhe nuk po i përdor argumentet, të cilat dëshmojnë se Serbia nuk ka asnjë të drejtë mbi të.

Eksperti i ujërave, Avdi Gjonbalaj, thotë se për ndërtimin e Ujmanit, i cili ka kushtuar 95 milionë dollarë, Kosova i ka ndarë 45 milionë, të cilat janë marrë nga fondi për viset e pazhvilluara në ish-Jugosllavi, siç është quajtur atëherë.

Ndërkaq 45 milionë të tjerë janë marrë kredi nga Banka Botërore. Sipas tij, nuk është i saktë as pretendimi i serbëve se kanë paguar kredinë, dhe se u takon edhe pronësia.

“Argumentet janë në anën tonë. Asnjë argument nuk e ka Serbia, asnjë. Nëse thotë se e ka kthyer kredinë është dashur të hyjë në suksesin, sepse janë obligime të Federatës”, ka thënë Gjonbalaj.

Për Gazivodën, ku hyn 300-kilovoltëshi, 220-shi dhe 110-kilovoltëshi, nuk ka as probleme pronësore, siç pretendojnë zyrtarë të lartë serbë. Sipas Gjonbalajt, shpronësimi i tokave të serbëve në Zubin-Potok nëpër të cilat është paraparë të kalojë kanali është bërë me para të Kosovës.

E për profesorin universitar, Zeqir Veselaj, në emër të “interesit strategjik të serbëve të veriut”, nuk mund të cenohen interesat jetike të afro gjysmës së banorëve të Kosovës.

Liqeni për Serbinë, sipas Veselajt, nuk paraqet asgjë më shumë se pak ujë për pije dhe një zonë rekreativo-turistike, ndërkaq “për Kosovën është burim jetik për ujë të pijes, ujitje dhe operimet energjetike e ekonomike të vendit”.

“Serbëve atje nuk u rrezikohet asgjë, sepse nuk u merret as uji, as pasuria tjetër e as s’u ndalet energjia. Ata thjesht është duke i nxitur politika serbe që të vetmin qëllim e ka defunksionalizimin e shtetit të Kosovës. Nëse ata llogarisin që me një aset shtetëror ta shantazhojnë po atë shtet, duhet t’i llogarisin pasojat politike, po edhe juridike”, ka thënë Veseli në një shkrim autorial të botuar në “Kohën Ditore”.

Sipas tij, duhet qartësuar edhe investimet në liqen dhe rreth tij; “kush po investon, me çfarë arsyesh dhe mbi çfarë baze ligjore”. “Aktualisht atje po investon vetëm Qeveria e Serbisë, me investimet e fundit prej 10 milionë eurosh në ujësjellësin për komunat e veriut. Jo pse atyre u mungon ujësjellësi, por me këto investime Serbia do ta mbajë fuqishëm të ndezur refuzimin politik ndaj Prishtinës”. Sipas Veselajt, me Serbinë duhet të bisedohet vetëm për menaxhimin e integruar të këtij resursi ujor, “pasi për mirë apo për keq na ka rënë ta kemi fqinj për sot e mot dhe ta ndajmë mes vete liqenin”.

Ai ka kujtuar se liqene ndërkufitare ka plot dhe menaxhohen pa probleme politike, ashtu si përcaktojnë konventat ndërkombëtare dhe direktivat evropiane. Ka përmendur rastin e Malit të Zi me Shqipërinë në Liqenin e Shkodrës, dhe të Shqipërisë me Maqedoninë në Liqenin e Ohrit. “Menaxhimi i integruar i liqenit ndërkufitar duhet të jetë e vetmja pikë për bisedime në të ardhmen”, thotë ai.