Në mars të vitit të kaluar u mor vendim për mbylljen e bizneseve të lojërave të fatit. Ky vendim erdhi edhe si pasojë e dy vrasjeve që ndodhën në hapësirat e kazinove. Një vrasje ndodhi në Komunën e Lipjanit, ndërsa tjetra në Komunën e Suharekës. Megjithatë, me shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit i është ndaluar veprimtaria edhe Lotarisë së Kosovës.
Ligji për ndalimin e kësaj veprimtarie, ku pretendohej se ishin të përfshirë rreth 4 mijë punëtorë, u votua në Kuvendin e Kosovës me 69 vota, raporton KOHA.
Deri në momentin kur është marrë vendimi për shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit, sipas Administratës Tatimore të Kosovës, kanë qenë 46 subjekte të licencuara, prej tyre 23 me baste, 17 me automate dhe 6 subjekte me bingo.
“Subjektet me veprimtari të automateve, kanë qenë gjithsej 133 lokale, ku në total kanë qenë 1.619 automate të licencuar. Subjektet me veprimtari të basteve, ku numri i njësive të licencuar ka qenë në total prej 306 njësi/lokale të licencuara. Subjektet me veprimtari Bingo gjithsej kanë qenë 6, me 6 lokale. Kazino nuk ka pasur asnjëherë të licencuara”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Gjatë 2018-s, 15 milionë e 874 mijë euro është shuma totale e akcizës që kanë paguar bizneset e lojërave të fatit.
Ndërsa më 2017, nga akciza për këto biznese në arkën e shtetit kanë shkuar 12 milionë e 479 mijë euro.
Por, ky biznes vazhdon tash të operojë në mënyrë ilegale dhe shumë prej bastoreve vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe online.
Në fshatin Likoc të Komunës së Skenderajt, operojnë 5 bastore. Këtë e kanë konfirmuar edhe banorët, megjithatë nuk kanë guxuar të prononcohen.
As në Komunën e Skenderajt nuk kanë pranuar që të prononcohen në lidhje me këtë çështje, por shkurt kanë thënë se nuk janë në dijeni për veprimtarinë e këtyre bizneseve në atë fshat.
“Lidhur me pyetjet tuaja, deklarojmë se Inspektorati i Komunës së Skenderajt pavarësisht që çdo ditë është në terren me inspektime të ndryshme, ende nuk ka hasur në bastore në fshatin Likoc dhe kështu nuk kemi marrë as shqetësime apo informata nga banorët”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt.
Në përgjigje, më tej, thuhet se për këtë çështje është departamenti i krimeve ekonomike brenda Policisë së Kosovës, kurse Inspektorati i Komunës së Skenderajt thotë se mbetet në dispozicion dhe në përkrahje të Policisë në evidentimin e rasteve të tilla dhe marrjen e masave konform legjislacionit në fuqi.