Familjet në Kosovë vazhdojnë ta kenë barrë të rëndë financiare pagesën e kësteve mujore të kredive ndaj bankave.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) “Të ardhurat e kushtet e jetesës” i vitit 2018 thuhet se 61.3 për qind të ekonomive familjare e kanë barrë të rëndë financiare pagesën e borxheve për kartë kredit, blerje të madhe ose kredi të tjera.
Ndërkaq për 29.7 për qind të ekonomive familjare është deri diku barrë financiare. Vetëm 9.0 për qind të ekonomive familjare nuk kanë barrë financiare.
Sipas raportit, krahas kësaj 17.4 për qind e ekonomive familjare kishin vështirësi të mëdha në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale dhe gjendjen për të kryer pagesat e nevojshme të zakonshme. Kurse 26.6 për qind e tyre e përballonin me vështirësi.
“34.3% me disa vështirësi, përderisa 11.0% e ekonomive familjare e përballonin mjaft lehtë, 10.0% lehtë, dhe 0.7% shumë lehtë”, thuhet në raportin e ASK-së. /Buletini Ekonomik/