Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka kërkuar që të merren gjithë veprimet që aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”, të jetë konkurrues me aeroportet e rajonit dhe të ofrojë bileta më të lira për udhëtarët.
Abrashi e ka thënë këtë gjatë një vizite pune në zyrat e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC).
“Qeveria e Kosovës e ka prioritet mbështetjen dhe zhvillimin e Aviacionit Civil. Transporti ajrorë ka rëndësi jetike për ekonominë e Kosovës dhe për diasporën kosovare, dhe veprimet që duhet të ndërmerren në mënyrë që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ të jetë konkurruese me aeroportet e rajonit dhe të ofrojë bileta më të lira për udhëtarët”, tha Abrashi.
Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi, ka informuar për aktivitetet e Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) si agjenci e pavarur, rregullatore e ngarkuar me rregullimin e aspekteve të sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror.
Ai shtoi se AAC-ja brenda mekanizmave ndërkombëtare bën përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët tjerë.
“Normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera, do të përfshijë hapjen e korridoreve të reja ajrore në mes Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, që do të shërbenin për të gjithë avionët që fluturojnë në ANP ‘Adem Jashari’ dhe për mbikalime në hapësirën e ultë ajrore”, tha Ejupi.