Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), Alexandre de Juniac, tha se aviokompanitë të cilat akoma janë të goditura rëndë nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), në gjysmën e dytë të këtij viti pritet që mesatarisht të humbin rreth 300.000 dollarë në minutë për një total prej 77 miliardë dollarësh.
“Ne po humbim para sepse nuk mund t’i ulim shpenzimet aq shpejt sa të kompensojmë ndikimin e të mos qenit në gjendje të bëjmë biznes”, tha de Juniac.
Edhe pse kufijtë mbeten të mbyllur për pjesën më të madhe, ai vlerëson se ekziston një zgjidhje, pasi grupi vazhdon të nxisë për testimin sistematik për COVID-19 përpara nisjes.
“Ne besojmë se kjo do t’u japë qeverive besimin për të rihapur kufijtë. Ne po avokojmë për këtë me qeveritë, autoritetet shëndetësore, OBSH-në”, theksoi ai.
Nevojitet më shumë mbështetje qeveritare
Duke thënë se muajt në vazhdim janë tradicionalisht më të dobëtit për kompanitë ajrore, ai shtoi: “Normalisht që ata mbijetojnë me paratë e grumbulluara nga periudha e kulmit të udhëtimit në korrik dhe gusht. Ne nuk e patëm këtë shtytje këtë vit.”
Duke theksuar se aviokompanitë morën 160 miliardë dollarë mbështetje nga qeveritë, ai tha se do të kishte shumë më shumë falimentime dhe humbje të vendeve të punës pa këtë mbështetje.
Por tani shumica e atyre programeve po mbarojnë, theksoi ai, duke shtuar se është koha t’u kërkohet qeverive të marrin masa shtesë për t’i zëvendësuar ose zgjatur programet në një periudhë më të gjatë.
“Potenciali për dështime dhe humbje të vendeve të punës në muajt e ardhshëm është i madh”, paralajmëroi ai.