Banka Botërore ka njoftuar se e ka miratuar ndarjen e 12 miliardë dollarëve për financimin e blerjes dhe shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit në vendet në zhvillim.
Përpos për blerje dhe shpërndarje të vaksinave kundër virusit të ri, këto fonde do të shfrytëzohen edhe për testim dhe trajtim të pacientëve, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në deklaratën e bankës thuhet se përmes ndarjes së kësaj shume synohet përkrahja e vaksinimit të rreth një miliard njerëzve.
Banka Botërore është një nga burimet më të mëdha të financimit për vendet në zhvillim.
Njoftimi më i ri për ndarjen e fondeve është pjesë e një pakoje më të madhe prej 160 miliardë dollarësh për t’i ndihmuar vendet në zhvillim në lidhje me menagjimin e pandemisë.
“Kjo pako financiare ofron ndihmë për hulumtime dhe industri farmaceutike që qytetarët në vendet në zhvillim gjithashtu kanë nevojë për qasje në vaksina të sigurta dhe efektive kundër sëmundjes Covid-19”, thuhet në deklaratë.